Maqedonia e Veriut planifikon hapjen e një konsullate në qytetin e Korçës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri maqedonas i Çështjeve Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, gjatë një vizite në Korçë, ku u prit nga kryebashkiaku Sotiraq Filo.
Sipas ministrit Limani, po vijojnë përpjekjet për hapjen e një konsullate në Korçe, që do të rriste bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e turizmit, por edhe aspekte të tjera në marrëdhëniet dypalëshe.
“Ka lajme pozitive. Ne do të përpiqemi që në të ardhmen të krijojmë kushte për hapjen e një konsullate këtu, të emërojmë një konsull këtu dhe ai të merret më rrënjësisht, me guxim e pa frikë në kuptimin e hapjes së të gjitha dyerve për bashkëpunim, si në aspektin e tur-operatorëve që janë edhe pjesë e Maqedonisë së Veriut edhe të pjesës së Shqipërisë.
Në fund të fundit, edhe në rast se i sjellin vizitorët këtu në Korçë nuk kanë çfarë të humbin, përveç se përfitimit të dyanshëm. Mendoj se s’ka të bëjë këtu edhe pjesa e frikës, ndrojes, sepse Shqipëria është nga shtetet e para e cila pranoi pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që vende të tjera fqinje akoma edhe sot kemi kontestime të paqartësuara e të papranueshme për palën tjetër.
Sido që të jetë, mendoj se është më tepër vullnet i yni i dyanshëm për të bashkëvepruar. Të shfrytëzojmë të gjitha pasuritë që i kemi, edhe kulturën e dyanshme sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shtegtojmë drejt asaj që është qëllimi i përbashkët. Do ta mbyll këtë intervistë me një fjali. Sado që u përpoqa unë ta ndal djalin tim të jetojë në vendlindje, në Kërçovë, në Maqedoni, ai në fund zgjodhi Zvicrën. Sado të përpiqemi ne t’i ndalim edhe vizitorët edhe turistët të cilët pretendojnë Korçën, ata do të vijnë, me ose pa lejen tonë.
Është mirë që ne bashkë t’iu japim një dorë, t’iu lehtësojmë mundësinë dhe t’u mundësojmë atyre të shijojnë bukuritë e rralla që ka Korça, Ohri, Struga dhe vise të tjera”, u shpreh ministri Fatmir Limani