Goli i shënuar nga shqiptari Ezgjan Alioski nuk i ka kryer punë Maqedonisë së Veriut në ndeshjen e dytë të Grupit C të Kampionatit Evropian “Euro 2020”, përballë Ukrainës. Përfaqësuesja e Andriy Shevchenko fitoi në fund me rezultatin 2:1.
Andriy Yarmolenko dhe Roman Yaremchuk realizuan dy golat në pjesën e parë për Ukrainën, ndërsa Alioski ngushtoi epërsinë në minutën e 57-të. Ai shënoi nga topi i kthyer pasi penaltinë paraprakisht ia priti portieri ukrainas.
Në tabelën e Grupit C, Maqedonia është e fundit me asnjë pikë. Austria, Holanda e Ukraina kanë nga tri pikë. Holanda dhe Austria përballen më vonë mes vete në ndeshjen e mbetur të grupit.