Marina e Shteteve të Bashkuara kërkon mjete pa ekuipazh në sipërfaqe (USV) që janë në gjendje të mbajnë ngarkesa të mëdha, përfshirë raketa, për mijëra milje në det.
Sipas një thirrjeje nga Marina, programi Modular Attack Surface Craft (MASC) do të sjellë një USV me qëndrueshmëri të lartë, për nevojën e Marinës për një platformë të shpejtë dhe me kapacitet të madh ngarkese.
I publikuar më 28 korrik 2025 nga Komanda e Sistemeve Detare të Marinës (NAVSEA), Marina kërkon përgjigje për thirrjen deri më 11 gusht dhe dëshiron që prototipi të jetë gati brenda 18 muajve nga dhënia e kontratës.
“MASC synon të shfrytëzojë teknologjitë më të avancuara dhe parimet e dizajnit modular për të krijuar zgjidhje të përshtatshme dhe rezistente që mund të kundërshtojnë në mënyrë efektive kërcënimet në zhvillim”, thuhet në thirrje.
Sipas faqes së Institutit Naval, janë identifikuar tashmë tre koncepte anijesh me kapacitete të ndryshme, përfshirë një USV “që mund të mbajë dy kontejnerë ISO 40-futës dhe të lundrojë me shpejtësi 25 nyje detare për deri në 2 mijë e 500 milje detare në nivel deti 4”.
Dy konceptet e tjera shqyrtojnë ngarkesa të ndryshme, nga një deri në katër kontejnerë ISO, pa specifikuar distancën apo shpejtësinë.
Efektiviteti vdekjeprurës i dronëve detarë është dëshmuar në Detin e Zi, ku Ukraina ka përdorur varka me shpejtësi të telekomanduara, të mbushura me eksploziv për të fundosur fregatat dhe pastrimina ruse që nga fundi i vitit 2022.
Rebelët Houthi në Jemen kanë përdorur mjete të ngjashme kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Këto taktika kanë tërhequr vëmendjen e Pentagonit, i cili po përfshin mësimet nga Ukraina dhe Deti i Kuq në planet e tij për të sfiduar fuqinë në rritje detare të Kinës në Paqësor.