Një anije luftarake e Marinës Amerikane ka testuar me sukses një armë me lazer me energji të lartë që mund të shkatërrojë një avion luftarak në fluturim, tha Flota e Paqësorit në një deklaratë të premten.
Foto dhe video të siguruara nga Marina tregojnë anijen amfib “USS Portland” duke ekzekutuar “sistemin e parë me lazer për të shkatërruar një avion luftarak”, thuhet në deklaratë.
Pamjet tregojnë një lazer që del nga kuverta e anijes ndërsa në disa video të shkurtra tregohet edhe një dron që digjet pas goditjes. Marina nuk dha specifika mbi vendndodhjen e armës me lazer, por tha vetëm se testimi kishte ndodhur në oqeanin Paqësor më 16 maj. As fuqia e armës nuk është zbuluar, por në një raport të vitit 2018 nga Instituti për Studime Strategjike, thuhet se lazeri pritet që të ketë një fuqi prej 150 kilovatësh.
“Me këto testime arrijmë që të marrim informacion të vlefshëm për kapacitetet e sistemit tonë me lazer, që mund të përdoret kundër kërcënimeve të mundshme”, tha Kapiteni Karrey Sanders, oficeri më i lartë komandues në Portland, përmes një deklarate. “Në këtë mënyrë, por përkufizojmë edhe një herë luftën detare për Marinën”.
Arma me lazer mund të jetë tepër e efektshme nëse përdoret kundër varkave të vogla të armatosura, ose dronëve. Në vitin 2017, CNN ka qenë e pranishme gjatë testimit të një arme me lazer 30 kilovatësh në gjirin Persik. Asokohe, Cale Hughes, Lejtnanti i anijes “USS Ponce” që e përdori armën, përshkroi se si funksiononte ajo. “Përmes saj, një numër tepër i lartë fotonesh drejtohet nga objekti në lëvizje. Nuk shqetësohemi për erën, por më tepër për largësinë. Kemi mundësi ta godasim objektivin me shpejtësinë e dritës”.