Marina kolumbiane njoftoi të premten e 12 majit se kishte sekuestruar nëndetësen narkotike më të madhe në historinë e Kolumbisë, me përmasa 30 metra të gjatë dhe tre metra të gjerë, me tre tonë kokainë në bord.
Gjysmë-zhytësja u ndalua të martën teksa u nis për në Amerikën Qendrore, një nga rrugët më të ngarkuara për trafikun e paligjshëm drejt Shteteve të Bashkuara, konsumatori më i madh në botë i kokainës kolumbiane.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.
Pamjet e publikuara nga autoritetet tregonin varkën e gjatë në ujë, si dhe mallin e saj të zbritur në tokë, qindra pako me lëndë narkotike të etiketuar “Toyota” (trafikantëve u pëlqen të japin një firmë, shpesh të zgjedhur nga markat kryesore botërore, për dërgesat e tyre) dhe, në mes, tre burra të kapur.
Është gjysëm-zhytësi më i madh i identifikuar që nga fillimi i këtij lloji të kapjes në vitin 1993.
Në tre dekada, Marina ka sekuestruar 228 anije të këtij lloji, të cilat nisen të ngarkuara me tonelata droge nga Oqeani Paqësor drejt Shteteve të Bashkuara apo edhe kalojnë Atlantikun drejt Evropës.
Tre të dyshuarit kolumbianë të arrestuar gjatë kësaj konfiskimi të fundit pretenduan se ishin “të detyruar nga një organizatë trafikantësh droge të hipnin dhe të ngasin gjysmë zhytësin me alkaloid për në Amerikën Qendrore”.
Tre burrat e moshës 63, 54 dhe 45 vjeç u dërguan në Tumaco (jug) për t’u vënë para drejtësisë.
Sipas vlerësimeve të marinës, sekuestrimi përbën një humbje prej 103 milionë dollarësh për trafikantët.
Të prodhuara në mënyrë klandestine, këto varka, fshatare dhe të lehta, lëvizin pranë sipërfaqes së ujit, mbulojnë distanca më të gjata se skafet e autoriteteve dhe janë të vështira për t’u dalluar.
Legjislacioni kolumbian dënon përdorimin, ndërtimin, tregtimin, posedimin dhe transportin e gjysmë-zhytësve me burgim deri në 14 vjet.
Pas gjysmë shekulli luftë kundër drogës të financuar dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Kolumbia vazhdon të arrijë nivele rekord të prodhimit të kokainës.
Në vitin 2021, kultivimi i kokasë, nga e cila nxirret droga, mbuloi më shumë se 204 mijë hektarë dhe prodhimi i hidroklorurit të kokainës arriti në 1 mijë e 400 tonë, sipas OKB-së.