Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Mario Mitaj, thuhet se është në radarin e Atletico Madrid-it.
Sipas raportimeve nga Spanja, mbrojtësi i majtë është një emër që ka fituar terren ditët e fundit te Atletico.
Trajneri Diego Simeone dëshiron më shumë konkurrencë në atë pjesë të fushës, i vetëdijshëm se është një pozicion kyç në sistemin e tij.
Megjithatë, objektivi kryesor i klubit është Carlos Romero, një mbrojtës i krahut që i përket Villarreal-it dhe aktualisht është i huazuar te Espanyol-i.
Por, transferimi duket shumë i komplikuar. Villarreal-i po këmbëngul në një klauzolë lirimi prej 45 milionë eurosh, një shifër që Atletico e konsideron krejtësisht jorealiste për një lojtar që ende nuk e ka vendosur veten në nivelin elitar.
Duke pasur parasysh këtë situatë, në zyrat e Atletico-s tashmë po eksplorojnë alternativa më realiste dhe një emër që ka fituar terren në javët e fundit është Mitaj.
Mbrojtësi 22-vjeçar aktualisht luan për Al Ittihad në Arabinë Saudite, një klub të cilit iu bashkua si një talent premtues dhe ku ka vazhduar të zhvillohet në një mjedis konkurrues të ndryshëm nga ai evropian.
Megjithatë, kohët e fundit ai nuk është më titullar dhe po synohet shitja e tij në tregun evropian.
Interesi i Atletico Madrid-it nuk është ekskluziv. Disa klube të Premier League në Angli e kanë ndjekur nga afër progresin e Mitajt dhe kanë bërë tashmë pyetjet fillestare.
Thuhet se kartoni i Mitajt mund të kushtojë deri në 10 milionë euro.

