Maroku U20 trondit Argjentinën dhe shpallet kampion bote

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Maroku po ngjitet me hapa të sigurt drejt statusit të një fuqie të madhe në futbollin botëror.

Pas suksesit historik të kombëtares A në Katar 2022, ku arriti deri në gjysmëfinale, tani edhe përfaqësuesja U-20 ka bërë historinë e saj, duke u shpallur kampione bote për herë të parë.

Në finalen e Kupës së Botës për të rinj, të zhvilluar në stadiumin “Julio Martinez Pradanos” në Kili, Maroku mposhti Argjentinën me rezultatin 2:0. Përfaqësuesja afrikane dominoi ndeshjen që në minutat e para, duke treguar pjekuri taktike dhe intensitet të lartë kundër një rivali që konsiderohej favorit absolut.

Heroi i madh i finales ishte sulmuesi i skuadrës portugeze Famalicao, Yassir Zabiri, i cili realizoi dy gola vendimtar në pjesën e parë, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh që nuk u rrezikua më. Argjentinasit tentuan të reagojnë në pjesën e dytë me presion të vazhdueshëm, por mbrojtja e hekurt marokene nuk lejoi asnjë kthesë dramatike.

Ky sukses e vendos Marokun në një nivel të ri zhvillimi, duke treguar se projekti i futbollit të këtij vendi po jep frytet e veta në të gjitha grupmoshat. Pas “mrekullisë” së Katarit, tani edhe gjenerata e re e Luanëve të Atlasit ka treguar se e ardhmja është po aq premtuese.

Festime madhështore shpërthyen në të gjithë Afrikën e Veriut pas triumfit historik. Mediat ndërkombëtare raportojnë se atmosfera e gëzimit në Marok nuk është shuar as pas orëve të para të mëngjesit, me tifozët që vazhdojnë të kremtojnë një arritje që e forcon pozitën e tyre si fuqi në rritje.

Sipas “Goal.com”, kombëtarja e Marokut renditet aktualisht si favoritja e shtatë për Kupën e Botës 2026.

Me disa prej talenteve të U-20 që pritet t’i bashkohen ekipit të parë, potenciali i kësaj përfaqësueseje duket edhe më i madh, ndërsa ëndrra për një trofe botëror në nivelin e seniorëve duket tashmë më e afërt se kurrë. 

Share This Article