Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut që Kosova zhvillon me Serbinë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian (BE).
Në një deklaratë për mediat, Kurti është shprehur se nuk ka mundur të ketë kompromis në Bruksel, ndërsa thekson se të vetmin propozim sot në Bruksel e ka bërë Kosova, ndërsa pala serbe s’kishte propozuar asgjë, por kushtëzonte me themelimin e Asociacionit.
“Kam propozuar një udhërrëfyes të senkuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Nuk ka mundur të ketë kompromis me një propozim me sekuencë dhe një kushtëzim të vjetër. Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia se mu tha se ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje të sjellin. Kushtëzim i Serbisë se njëherë duhet të zbatohet Asociacioni dhe pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë”, tha ai.
Ai thotë se nuk mund të pranohet propozimi i Serbisë për të filluar me Asociacionin e më pas me pikat tjera.
“Nuk jemi në prillin e vitit 2013. Kjo nuk është marrëveshja e vitit 2013. Nuk mund nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm njëra dhe të vendoset si qerrja para kuajve”, ka deklaruar Kurti.