Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës miratoi licencën për kompaninë Elektrosever, për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike. Votimi i bordit të ZRRE nuk pati asnjë votë kundër.
Sipas “Radio Europa e Lirë”, Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, por në Kosovë është themeluar me ligjet e saj. Kjo kompani do të bëjë furnizimin, dhe faturimin e energjisë së shpenzuar në veri. Licencimi i saj është parashikuar me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, po dakordësia për zbatimin e saj u arrit vetëm ditët e fundit.
Në marrëveshje është parashikuar që konsumatorët në veri të paguajnë rrymën e shpenzuar. Nga fundi i luftës, më 1999, deri më 2017, energjinë për ta e paguanin qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës. Nga 2017-ta e deri në ditët e sotme, për shkak të ankesave, përgjegjësia për pagesën kaloi te qeveria e Kosovës.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi tha më 21 qershor se Elektrosever-i nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar, ndërsa të ardhurat do t’i mbledhë vetë.