Të mërkurën është arritur marrëveshja për liberalizim të vizave mes Këshillit dhe Parlamentit të Bashkimit Evropian, kjo në të njëjtën ditë kur u nënshkrua aplikimi i Kosovës në BE.
Kryeministri Albin Kurti, përmes një statusi në Twitter tha se këto dy zhvillime, që u bënë njëkohësisht, dëshmojnë progresin e Kosovës drejt BE-së.
“Sot, kur Republika e Kosovës bëri hapin e saj të parë drejt anëtarësimit në BE, Këshilli dhe Parlamenti i Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë deri në janar të vitit 2024 – konfirmim më i madh i progresit tonë në agjendën e reformave të BE-së”, shkroi Kurti.
Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Në emër të PE-së negociatat me Këshillin i ka zhvilluar raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten.
“Më në fund qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë për pushime, vizita familjare apo për arsye biznesi në BE, pa pasur nevojë të aplikojnë për viza. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, tha ai.