Udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias nënshkruan të dielën një marrëveshje të zgjeruar armëpushimi, gjatë samitit vjetor të ASEAN-it në Malajzi, ku i pranishëm ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Marrëveshja vjen si vazhdim i një armëpushimi të arritur tre muaj më parë, pas ndërhyrjes telefonike të Trump, i cili kishte kërkuar ndalimin e armiqësive mes dy vendeve pas një konflikti pesë-ditor në kufi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kryesoi ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit midis Tajlandës dhe Kamboxhias, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në stabilitetin rajonal të Azisë Juglindore.
Ceremonia u mbajt në Malajzi, ndalesa e parë e turneut aziatik të presidentit amerikan.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul, kryeministri kamboxhian Hun Manet, si dhe presidenti amerikan Trump dhe kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, në cilësinë e mikpritësit të takimit.
Armëpushimi zyrtar vjen pas përfundimit të armiqësive në korrik, të cilat u ndalën menjëherë pas paralajmërimit të Trump se vazhdimi i luftës mund të rrezikonte marrëveshjet tregtare dhe negociatat tarifore që secili vend kishte me SHBA-në.
Pas ceremonisë së armëpushimit, Trump njoftoi gjithashtu dy marrëveshje të reja ekonomike: një pakt tregtar SHBA–Kamboxhia dhe një marrëveshje për mineralet me Tajlandën, duke theksuar se diplomacia ekonomike do të mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme amerikane.
“Ne bëjmë shumë transaksione me të dy kombet, për sa kohë që ato jetojnë në paqe. Kur bëjmë marrëveshje, duhet ta përdorim atë biznes për t’u siguruar që vendet me të cilat bashkëpunojmë të mos përfshihen në luftëra”, tha Trump gjatë fjalës së tij.




