Pavarësisht tensioneve dhe sanksioneve të përsëritura perëndimore kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një marrëveshje me vendin e udhëhequr nga Vladimir Putin.
Bëhet fjalë për një shkëmbim të burgosurish. Ish-marinsi amerikan Trevor Reed, i dënuar me 9 vjet burg në Rusi për dhunë, është shkëmbyer me Konstantin Yaroshenko, një pilot rus i burgosur në SHBA për trafik kokaine.
Presidenti amerikan Joe Biden, ka pohuar në një njoftim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë se “negociatat që lejuan që Trevor të kthehej në shtëpi kërkonin vendime të vështira”. Biden ka theksuar se kthimi i sigurt i Trevor Reed “është dëshmi e përparësisë që i jep administrata ime kthimit në shtëpi të amerikanëve të burgosur dhe të ndaluar gabimisht jashtë vendit”.
Nga pala ruse, konfirmimin e marrëveshjes e ka bërë edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zacharova: “Më 27 prill, pas një procesi të gjatë negociues, Trevor Reed (…) u këmbye me shtetasin rus Konstantin Yaroshenko, i dënuar me 20 vjet burg nga një gjykatë amerikane në vitin 2010”.
Për sa i përket dyshimeve që ky pakt mund të ngrejë, një zyrtar i lartë amerikan ka mbrojtur se marrëveshja “nuk përfaqëson asnjë ndryshim, zero, në strategjinë tonë përballë dhunës së tmerrshme në Ukrainë”.
Trevor Reed, një student amerikan 29-vjeçar në Universitetin e Teksasit të Veriut dhe një ish-marins, mbërriti në Moskë në maj 2019 me një vizë turistike dhe jetonte në apartamentin e të dashurës së tij. Në korrik 2020, ai u dënua me nëntë vjet burg për sulmin ndaj dy oficerëve të policisë gjatë një feste, kur ishte i dehur. Amerikani mohoi agresionin dhe denoncoi një gjyq “politik”, në një kontekst tensionesh të larta midis Moskës dhe Uashingtonit.
Konstantin Yaroshenko, nga ana tjetër, u arrestua në vitin 2010 në Liberi, nga agjentë të shërbimeve sekrete amerikane. I akuzuar për trafik droge, autoritetet e dërguan në SHBA, ku drejtësia e dënoi me 20 vite burg.