Teksa kanë kaluar 6 ditë që nga ekzekutimi i Ardian Nikulajt në Shëngjin, duket se policia e Lezhës po shkon në zbardhje të kësaj ngjarje.
Sikurse mëson gazetarja e Top Channel Brixhilda Deda, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e sigurisë në zonë është parë autori i cili ka qëndruar për disa orë në një ndërtesë të pa përfunduar për të ruajtur objektivin e tij.
Po ashtu burime bëjnë me dije që shtetasi anglez i cili u dyshua që prej fillimit të ngjarjes si një nga informatoret, dyshohet të ketë qenë ai i cili ka ndërhyrë në sistemin e kamerave të sigurisë, për të parë lëvizjet e objektivit.
Shtetasi anglez ka qëndruar 5 ditë tek një resort në Shëngjin, shumë pak metra më tutje lokalit të viktimës. Burime bëjnë me dije se shtetasi anglez është munduar të fshehë identitetin e tij përmes kapelës, dhe në momentin që është paraqitur në recepsion është siguruar që imazhi i tij të mos kapet nga kamerat.
Vetëm pak kohë pas ngjarjes, ai është larguar menjëherë nga Shëngjini dhe dyshohet se ka ndërruar 2 taksi nga Shëngjini në Lezhë dhe më pas ka marrë një tjetër taksi për ta transportuar drejt aeroportit të Rinasit. Kjo ka rritur dhe më tej dyshimet e grupit hetimor se mund të kishte lidhje me vrasjen e Ardian Nikulajt.
Ndërkaq Policia e Lezhës prej ditësh është vënë në lëvizje për gjetjen e autorit, ku ditën e sotme në një banesë të braktisur në Gjadër të Lezhës janë gjetur disa rroba të cilat dyshohet të jenë të autorit ku janë dërguar në laborator për ekzaminime të mëtejshme.
Autoritetet besojnë se ngjarja ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes, gjithashtu janë shpallur në kërkim ndërkombëtare 5 persona ndërsa pritet që të këtë një deklaratë zyrtare nga drejtoria vendore e Lezhës në lidhje me këtë ngjare.