Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me vendimin e GJKKO-së për caktimin e masës ‘detyrim paraqitje’ për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në një statur në rrjetet sociale, Meta thekson se kjo është drejtësi me regji.
Mes të tjerash ai shton se urdhri politik është dhënë nga Rama, ndërsa nënvizon faktin se po shantazhohet opozita.
REAGIMI I METES
Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës.
Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjerave qindra milionëshe.
Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë.