Masakër e qeverisë ushtarake në Birmani, vriten 50 protestues për një ditë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Forcat e sigurisë në Birmani të shtunën vranë së paku 50 protestues, ndonëse udhëheqësi i qeverisë ushtarake tha se trupat e armatosura do ta mbrojnë popullin dhe do të bëjnë përpjekje për demokraci.

Protestuesit kundër puçit të 1 shkurtit dolën rrugëve të qyteteve Yangon, Mandalay dhe disa qyteteve tjera, pa u frikësuar nga paralajmërimi se mund të qëllohen në kokë dhe në shpinë. Në të njëjtën ditë, gjeneralët e festuan Ditën e Forcave të Armatosura, shkruan Reuters.

“Sot është një ditë e turpit për forcat e armatosura. Gjeneralët ushtarakë po e festojnë Ditën e Forcave të Armatosura pasi sapo vranë mbi 300 civilë të pafajshëm”, tha një zëdhënës i grupit CRPH, që është formuar nga deputetët e rrëzuar nga pushteti, duke iu referuar një vlerësimi për numrin e përgjithshëm të viktimave që nga nisja e protestave muajin e kaluar.

Pasi e përcolli paradën ushtarake me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura, gjenerali Min Aung Hlaing e përsëriti premtimin për organizim të zgjedhjeve, por nuk dha ndonjë kornizë kohore për këtë proces.

“Ushtria synon t’i bashkojë duart me tërë kombin për ta ruajtur demokracinë. Aktet e dhunshme që ndikojnë në stabilitet dhe siguri me qëllim të bërjes së kërkesave janë jo të duhura”, deklaroi ai.

Në paradën e ushtrisë birmaneze mori pjesë zënvendësministri rus i Mbrojtjes, Aleksander Fomin, i cili një ditë më parë u takua me udhëheqës të lartë të qeverisë ushtarake.

Share This Article