Autoritetet meksikane kanë bërë të ditur se mbetjet njerëzore të gjetura javën e kaluar në një shtëpi të braktisur në shtetin Guanajuato, i njohur si më i dhunshmi në Meksikë, i përkasin 32 personave. Lajmi u konfirmua nga Zyra e Prokurorit Rajonal.
Trupat e copëtuar ishin vendosur në qese plastike dhe u zbuluan gjatë një kontrolli në një banesë në qytetin Irapuato, si pjesë e hetimeve për personat e zhdukur.
Sipas deklaratës zyrtare, 15 nga viktimat janë identifikuar plotësisht, ndërsa për të tjerët procesi i identifikimit vazhdon. Prokuroria theksoi se trupat u gjetën në “kushte të fragmentuara dhe komplekse”, çka e bën më të vështirë punën e hetuesve.
Ky zbulim tronditës vjen në një kohë kur dhuna në Guanajuato, e shkaktuar kryesisht nga përplasjet mes grupeve kriminale, vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda për popullsinë lokale.