Të paktën 11 persona u vranë dhe 12 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një sulmi të armatosur në një fushë futbolli në Meksikë.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në qytetin Salamanca të Guanajuatos, kur persona të armatosur hynë në ambientet e fushës dhe qëlluan pothuajse mbi të gjithë personat e pranishëm.
Shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë janë ende të paqarta, teksa autoritetet e cilësojnë këtë sulm si më të dhunshmin në zonë, në vitet e fundit.
Policia ende nuk ka identifikuar autorët, teksa një hetim ka nisur për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Autoritetet lokale konfirmuan për mediat se 10 nga personat e qëlluar ndërruan jetë në fushë teksa një tjetër vdiq në spital për shkak të plagëve të rënda.
Bilanci mund të përkeqësohet edhe më tej pasi shumë nga të plagosurit kanë marrë plagë të shumta.
Guanajuato është një qendër industriale me fabrika montimi makinash dhe atraksione të shumta turistike, ku grupe të ndryshme të krimit të organizuar konkurrojnë për kontrollin e trafikut të drogës dhe vjedhjes së karburantit.

