Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me burg të përjetshëm për Laert Haxhinë, i akuzuar si autor i masakrës së Lushnjes në vitin 2017.
Në atë ngjarje humben jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Objektivi i atentatit dyshohet se ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Gjykata e Apelit në Athinë do të thotë edhe fjalën e fundit për fatin e Laert Haxhiut. Po ashtu ai ka kërkuar edhe azil në shtetin grek.
Si ndodhi masakra e Lushnjës?
Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në 11 tetor të vitit 2017, ndërsa dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu, pronari i lokalit ku ndodheshin atë çast dy viktimat, si dhe një kalimtar i rastit, 66-vjeçari Bujar Turku, që po kalonte në atë moment me biçikletë, kanë mbetur të plagosur lehtë.
Dy të rinjtë u ekzekutuan me breshëri automatiku në hyrje të lokalit. Autori zbriti nga një automjet dhe në duar mbante një armë automatike, ndërsa në kokë kishte një maskë të zezë. Ai eci gati 20 metra, duke iu afruar dy të rinjve që qëndronin në kafene dhe menjëherë ka hapur zjarr me automatik. Ai ka lëshuar dy breshëri kallashnikovi, ndërkohë që ka lënë të vdekur në vend Jurgen Hoxhën dhe shokun e tij, Zamir Latifi.
Më pas, ai është larguar shumë shpejt në drejtim të daljes së Lushnjës, drejt zonës së ish-Fabrikës së Plastmasit. Zamir Latifit i ishte bërë atentat edhe një herë tjetër, një vit para ekzekutimit.
Ai ishte shok me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, ndërkohë që Xhulio Shkurti mori një plumb në këmbë, ndërsa u plagos edhe Sajmo Xhelili. Xhelili dhe Shkurti kanë edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Dy vjet pas ngjarjes së rëndë, që u quajt edhe si “masakra e Lushnjës”, ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera.
Enver Boriçi ishte viktima e radhës e atentateve mafioze, i cili u vra në dhjetor të 2019, ndërkohë që u ekzekutua edhe Besnik Hida po në të njëtin vit. Ky i fundit daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi. Nga Policia u dyshua se vrasja e tij mund të kishte lidhje me vrasjen e Latifit, për të cilin daja i tij kërkonte të bënte drejtësi dhe të zbardhej ngjarja.