Dy turq janë arrestuar me dyshimin se janë përfshirë në të shtënat me armë nga një bandë ndaj gjashtë turqve të tjerë në Greqi muajin e kaluar. Kjo u bë e ditur nga autoritetet greke të mërkurën.
Policia tha se gjashtë turq u vranë në një pritë me makinë më 11 shtator jashtë Athinës, të cilët besohet se kanë qenë anëtarë të një grupi ndërkombëtar kriminal. Ata kishin bërë një ndalesë të shkurtër në Greqi rrugës për në Turqi.
Të shtënat masive të kësaj natyre janë praktikisht të padëgjuara në Greqi. Autoritetet dyshuan që në fillim se ngjarja kishte lidhje me organizata kriminale me bazë të huaj.
Një deklaratë e policisë tha se një nga dy të dyshuarit e arrestuar ishte marrë me rregullimin e qëndrimit të viktimave në Greqi, planet e tyre të udhëtimit për në Turqi, por dyshohet se ai i çoi ata në pritën fatale në qytetin bregdetar të Artemidës.
Gjashtë personat u sulmuan në makinën e tyre ndërsa po udhëtonin për në aeroportin e Athinës. Policia tha se vrasësit kishin qëlluar nga një distancë e afërt.
Artemida është një qytet rreth 20 kilometra në lindje të Athinës dhe afër aeroportit.
Një i dyshuar, një burrë 32-vjeçar, u arrestua në aeroport disa orë pas të shtënave para se të mund të hipte në një fluturim për në një ishull lindor të Detit Egje, afër bregdetit turk. Të martën, tha policia, kishte arrestuar edhe një 28-vjeçar në Athinë.
Arrestimet u bënë të mëndura falë bashkëpunimit me shërbimin sekret grek dhe skuadrën kundër terrorizmit, tha policia, por edhe nga shkëmbimet e informacionit me autoritetet nga vende të tjera.
Ngjarja
Gjashtë personat u qëlluan për vdekje në një rrugë të izoluar me 11 shtator 2023 rreth orës 18:30, ndërsa po udhëtonin me një makinë blu me targa gjermane.
Pesë nga viktimat u gjetën të vdekur brenda automjetit dhe i gjashti, që besohet se ishte drejtuesi, ndodhej jashtë tij.
Asnjë nga gjashtë viktimat, nuk ishte me precedent penalë në Greqi. Por mediat turke publikuan emrat dhe fotot e gjashtë personave që mbetën të vrarë në Greqi.
Sipas raportimeve nga mediat turke, thuhej se ata i përkisnin një bande vrasësish të njohur si Dalton, të udhëhequr nga kryemafiozi turk Baris Boyun, që ndodhet në arrati.
Mes të vdekurve është edhe Doruk Ersu Buyuktudus, një nga njerëzit më të afërt të Buyun, i cili kishte qenë i burgosur në Itali për një kohë të caktuar.
Abdurrahman Tekru, Ozkan Kaan Tozlu, Baris Cagan, Omer Kanza dhe Burak Tahmaz janë personat e tjerë të vrarë, sipas gazetës Milliyet.
Sipas të njëjtit burim, pas vrasjes në një llogari Tik Tok e quajtur “banda e Red Kit”, u ngarkua një video dhe foto duke thënë se “ne morëm hak”. Madje, gazeta raporton se autoritetet greke kanë kontaktuar me ato turke për të vërtetuar nëse postimet në fjalë ishin të vërteta.
Grupi i turqve banonin në një shtëpi të fshehtë në Lutsa, shumë afër vendit ku u vranë. Në fillim, mediat greke raportuan se dyshohej se të vrarët ishin shqiptarë, por më pas u tregua se bëhej fjalë për shtetas turq, me dokumenta franceze.