Organizata xhihadiste Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, përmes një postimi në Telegram. Reuters raporton se ajo është postuar në një kanal Telegram të Shtetit Islamik. Në deklaratën e plotë thuhet: “Militantët e Shtetit Islamik sulmuan një grumbullim të madh të krishterësh në qytetin Krasnogorsk në periferi të kryeqytetit rus, Moskë, duke vrarë dhe plagosur qindra dhe duke shkaktuar shkatërrim të gjerë në vend përpara se të tërhiqeshin në mënyrë të sigurt në bazat e tyre”.
Numri i viktimave të sulmit terrorist në një ambient koncerti në Krasnogorsk, afër Moskës, është në rritje. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, duke cituar informacione nga rrjeti rus Baza, të paktën 82 persona kanë vdekur. Muzikantët e grupit Picnic nuk u lënduan gjatë të shtënave, tha menaxheri i tij Yuri Chernyshevsky për TASS.
Për momentin, autorët dhe shumë nga spektatorët e koncertit – që nuk filloi kurrë – mbeten brenda një godine të djegur, me çati të shembur . Dhe ajo që shkakton tmerr është se mund të ketë pasur më shumë se 6000 njerëz brenda qendrës në atë kohë. Informacioni flet për të paktën pesë persona të armatosur të cilët – si në holl ashtu edhe brenda sallës së koncerteve – qëlluan pa dallim, duke vrarë të paktën 60 persona – përfshirë fëmijë – dhe duke plagosur 146.
Lista e të plagosurve që u shtruan në spital pas sulmit terrorist në ambientet e muzikës Crocus City Hall u publikua në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë të Rajonit të Moskës. Ministri rus i Shëndetësisë Mikhail Murasko tha se 115 persona u shtruan në spital, pesë prej tyre fëmijë. Të paktën tre ekipe të shërbimit anti-terrorist kanë hyrë në ambientet e koncerteve.