Kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi sot në mbrëmje rikthimin e bllokimit të plotë në të gjithë Anglinë, ndërsa BM po përballet me rritjen e numrit të infektimeve me variantin e ri të COVID-19, i vlerësuar nga ekspertët si më ngjitës.
“Ky izolim i ri, po aq i rreptë, sa ai i vendosur në pranverë, parashikon mbylljen e shkollave dhe duhet të zgjasë, nëse e lejojnë kushtet, deri në mes të shkurtit”, tha ai në një adresim televiziv.
“Bllokimi i ri do të bëhet ligj që në orët e para të së mërkurës, por banorët duhet t’i ndjekin rregullat e reja nga tani”, shtoi Johnson.
Banorët tani lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për të blerë gjëra të domosdoshme, për stërvitje fizike, arsye mjekësore dhe nëse nuk mund të punojnë nga shtëpia.