Probleme të reja për Luvrin, pas grabitjes së bujshme të tetorit të kaluar: nëntë persona janë ndaluar me akuzën për mashtrim ndaj muzeut dhe Pallatit të Versajës.
Prokuroria e Parisit njoftoi se dëmi për dy institucionet kap vlerën mbi 10 milionë euro dhe se bëhet fjalë për një rrjet të gjerë ilegal që përfitonte nga biletat dhe vizitat me guidë.
Mes të dyshuarve ka dy punonjës të Luvrit, disa guida turistike dhe një person që konsiderohet organizatori i skemës.
Hetimet zbuluan se biletat bliheshin një herë dhe përdoreshin disa herë për grupe të ndryshme turistësh, me ndihmën e bashkëpunëtorëve brenda muzeut që mbyllnin sytë kundrejt pagesave në para cash.
Autoritetet kanë sekuestruar qindra mijëra euro dhe dyshohet se një pjesë e fitimeve është investuar në pasuri të paluajtshme në Francë dhe Dubai, ndërsa mashtrimi mendohet se ka zgjatur për rreth një dekadë.

