Matty Cash është në prag të paraqitjes si mbrojtës i djathtë për Poloninë – një vend ku ai nuk ka lindur dhe një pozicion që dikur nuk donte të luante. Por, kthesat e papritura në karrierë janë temë e zakonshme për një lojtar që kaloi nga shitja e lodrave në një dyqan në qytetin Windsor e deri në Premier League.
Tani një titullar i padiskutueshëm tek Aston Villa, Cash është grumbulluar me Përfaqësuesen e Polonisë për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror “Katari 2022”. Te Polonia, Cash pritet të jetë titullar të premten në ndeshjen kundër Andorrës, që i takon Grupit I.
Në moshën 16-vjeçare, Cash, ishte pa klub pasi u lirua nga Wycombe.
“Ai ishte i humbur”, kujton babai i tij, Stuart Cash. “Gruaja ime dhe unë e dërguam të punonte në ‘Daniel Department Store’, pasi ne donim që ai të përjetonte jetën reale të punës dhe ishte fantastike për të. Kjo i dha atij një ndjenjë jete pa futboll, pasi i ishte afruar kaq shumë. Duket se kjo punë e motivoi për të kuptuar se sa futbollist i talentuar ishte”.
Cash ka lindur në Angli, por mund ta përfaqësojë Poloninë nëpërmjet nënës së tij, Barbaras. Atij iu dha shtetësia polake në tetor, përpara se të merrte ftesën e parë në fillim të këtij muaji. Tani Cash te Polonia do të jetë bashkëlojtar me yjet si Robert Lewandowski (Bayern) e Wojciech Szczesny (Juventus). Me babanë Stuart që ka luajtur mbrojtës te Chesterfieldi, vëllain e madh Adamin që është lojtar gjysmë-profesionist te Northwood FC dhe një motër me një bursë golfi në SHBA, sporti është në gjakun e familjes Cash.
“Unë i kam thënë gjithmonë të vërtetën, mirë apo keq”, shtoi Stuart. “Kur ai ishte më i ri, nëse mendoja se ai ose vëllai i tij nuk kishin bërë përpjekje të mjaftueshme në ndeshjen e tyre të futbollit atë fundjavë, i sillja në shtëpi, nxirrja kronometrin tim dhe i detyroja të bënin xhiro rreth një fushe prej dy hektarësh pranë shtëpisë sonë”.
Stuart thotë se i kishte paralajmëruar ata se sa herë nuk do të angazhoheshin maksimalisht, do të dënoheshin me vrapim.
“U thosha atyre se nëse unë dhe gruaja ime duhet të sakrifikojmë fundjavat tona për t’i shikuar në një ndeshje futbolli, atëherë duhej të angazhoheshin në fushë. Unë nuk jam nga ata baballarë që do të jenë thjesht të sjellshëm”, insiston Stuart.
Këto ditë Cash është njëri ndër mbrojtësit më të vlerësuar të krahut të djathtë në Premier League, por situata nuk ka qenë gjithmonë kështu. Pasi e ringjalli karrierën futbollistike në akademinë FAB, Cash u mor nga Nottingham Foresti, klub në të cilin do të rritej në mbrojtësin e përsosur të futbollit modern.
“Ne e morëm atë në prova pasi luajtëm një miqësore kundër akademisë ku ishte”, kujton menaxheri i akademisë së Nottinghamit, Gary Brazil. “Entuziazmi dhe dëshira e tij për të vrapuar nëpër çdo cep të fushës, na e tërhoqi vëmendjen. Fillimisht ai hyri si mesfushor dhe pas pak minutash ne ishim të bindur se e zbuluam një futbollist që e donim në udhëtimin tonë”.
Ishte një udhëtim që filloi në lindje të Londrës, pasi ekipi i kategorisë së tretë, Dagenham & Redbridge e mori mesfushorin 17-vjeçar në huazim për fazat e fundit të edicionit 2016/17.
Cash u kthye në “City Ground” dhe bëri debutimin në ekipin e parë të Forestit sezonin e ardhshëm.
Por, vetëm në edicionin 2019/20 – kur një krizë dëmtimesh kërkoi mbulim në anën e pasme – mbrojtja u bë pjesë e tij për kohë të gjatë.
“Më duhet ta falënderoj ish-trajnerin e Forestit, Sabri Lamouchi, që më shndërroi në mbrojtës të krahut. Më kujtohet kur ai më kërkoi të luaj në këtë rol në një miqësore para fillimit të sezonit dhe fillimisht e refuzova. Nuk kisha luajtur kurrë më parë, por funksionoi dhe tani më pëlqen të luaj në këtë pozitë”, thotë Cash.
Cash kaloi pesë edicione në Forest dhe u zgjodh lojtari më i mirë i 2019/20, përpara se të nënshkruante një marrëveshje pesëvjeçare me Aston Villan në shtator të vitit 2020, pas një transferimi prej 20 milionë eurosh. Ka bërë 40 paraqitje deri më tani. Paraqitjet energjike dhe sulmuese të Cashit në krahun e djathtë si dhe goditja mahnitëse kundër Evertonit në shtator, e kanë ngritur profilin e tij dhe nga ana tjetër kanë rritur perspektivën për karrierë ndërkombëtare.
“Në momentin që firmosi me Aston Villan, ne në shtëpi diskutuam se ai mund të luajë për Poloninë. Tani të gjithë jemi krenarë që Matty është ftuar dhe me padurim po e presim debutimin e tij”, shtoi Stuart.
I përkushtuar dhe punëtor në fushë, Cash mbetet person i përulur, sipas atyre që e njohin.
“Përkundër që është në një pozitë të privilegjuar, ai qëndron me këmbë në tokë. Ai e di shumë mirë se jo shumë kohë më parë mund të mos ketë qenë as futbollist, por shitës në dyqanin e lodrave. Ai thotë se pikërisht puna në atë dyqan ishte gjëja më e mirë që e ka bërë ndonjëherë, sepse e ndihmoi të arrinte atje ku donte të ishte”, insistoi babai i Mattyt.