Maxi Lopez që ka bërë karrierë edhe te Barcelona, tani është pronari i klubit historik anglez Birmingham City.
Ai është bërë argjentinasi i parë që zotëron një klub anglez.
Birmingham City është një nga klubet më të njohura të futbollit në Angli, i themeluar në vitin 1875, ndërsa ka fituar dy herë Kupën e Ligës (1962-63 dhe 2010-11).
Megjithatë, ata tani kanë 12 sezone radhazi pa u ngjitur në Ligën Premier.
Aksionet që Paul Suen, pronari i mëparshëm i klubit i hodhi në treg u blenë nga grupi i investimeve ku bën pjesë edhe Maxi Lopez .
Sipas Daily Mirror, çmimi është 30 milionë funte, apo rreth 35 milionë euro.
Megjithatë, duhet pasur parasysh se situata aktuale e skuadrës nuk është më e favorshmja, pasi sezonin e kaluar ekipi ishte në prag të rënies nga Championship.
Personalitete të mëdha në marrëveshje
Përveç Maxi Lopez, ka edhe personalitete të tjera të kalibrit të lartë brenda marrëveshjes, si biznesmeni Christian Codoma, pronar i Maxco Capital dhe drejtor i Global Stars Management.
Pastaj është Paul Richardson, një mbështetës i njohur i Birminghamit, ish-drejtor i Gymshark dhe pronar i Hera London.
Sipas Birmingham Mail, shuma përfundimtare e marrëveshjes është rreth 50 milionë euro.
Richardson postoi një mesazh në rrjetet sociale ku shkruhej: “Maxi Lopez dhe unë dëshirojmë të falënderojmë të gjithë tifozët blu për mbështetjen e tyre të madhe dje për ofertën tonë për ta rikthyer klubin”.
Lopez, nga ana e tij, ka postuar një video nga brenda stadiumit, me mbishkrimin e thjeshtë “në shtëpi”.