Në paradokset gjeopolitike që po ndodhin së fundmi në lidhje me luftën tashmë të hapur në Ukrainë, njëra ka të bëj me zinxhirin e pushtetit në Rusi.
Edhe pse opinioni publik ndërkombëtar po përqendrohet te figura autoritare e Vladimir Putin, duke dyshuar pothuajse problemet mendore si burim i vendimeve të fundit të presidentit rus, ai nuk është zyrtari me pozicionet më ekstreme.
Kur javën e kaluar gjatë Këshillit të Sigurimit rus, u miratua pavarësia e Luhanskut dhe Donjetskut, vetëm një person foli për një tematikë totalisht ndryshe. Ishte ministri i Mbrojtjes Sergej Shoigu. Ai foli për rrezikun e Ukrainës në përgjithësi, dhe si mundësitë që Kievi të rimerrte armë nukleare ishte konkret. ‘Ka më shumë inxhinierë bërthamorë aty se në Korenë e Veriut’, deklaroi.
Fjala e tij kishte peshë. Jo vetëm se ai është ministër i mbrojtjes si dhe gjeneral i dekoruar me titullin më të lartë, atë të Heroit të Rusisë, por sepse ai është praktikisht personi më i besuar i presidentit Putin.
Shoigu ka një histori të veçantë. Sipas burimeve të A2 CNN, ai është diplomuar në arkitekturë, djali i një prej familjeve elitare të një republike pothuajse të humbur të Bashkimit Sovjetik, atë të Tuvës, në kufi me Mongolinë. I ati vjen pikërisht nga një nga fiset autoktone me origjinë turkofone, ndërkohë që paradoksalisht e ëma ka origjinë ukrainase, nga Luhansku.
I dalluar si shef i Emergjencave gjatë viteve ‘90, iu bashkua më vonë Putin ku ishte edhe lider i një partie si Rusia e Bashkuar, që mbështeste pikërisht ‘carin’ e ri të Shën Petersburgut. Nga viti 2012 mban vendin e ministrit të Mbrojtjes, pozicion i konsoliduar me fushatën e suksesshme të aneksimit të Krimesë.
Putin urdhëron vendosjen në gatishmëri të armëve bërthamore, Shoigu: Po, zotëri
Marrëdhëniet me liderin e Kremlinit janë të shkëlqyera, dhe përtej pushtetit i bashkon edhe dashuria për natyrën e egër të Siberisë, ku të dy kanë kaluar periudha të gjata në vetmi. Politikisht dhe ideologjikisht rus, ai duket gjithsesi më i lidhur me pjesën aziatike sesa atë europiane. Flet gjuhën kineze, japoneze dhe turke, koleksionon shpata të vendeve aziatike dhe thuhet se praktikon budizmin dhe ritet e shamanëve të fisit të tij.
Është pikërisht ai që po koordinon fushatën në Ukrainë, dhe në rast përkeqësimi të konfliktit mund të ketë një rol vendimtar. Bashkë me Putin dhe kreut të Ushtrisë ai është një nga tre personat që mban kodet që urdhërojnë sulmin bërthamor. /A2