Mbappe kundër idesë që Botërori të mbahet çdo dy vjet

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Sulmuesi i Përfaqësueses së Francës, Kylian Mbappe, është kundër idesë së FIFA-s që Kampionati Botëror i futbollit të mbahet çdo dy vjet.

Ylli francez është i bindur se organizimi i Botërorit çdo dy vjet do ta bënte më pak tërheqës këtë turne. Botërori i futbollit mbahet çdo katër vjet, por Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka nisur fushatë për organizimin e ngjarjes çdo dy vjet.

Sulmuesi 23-vjeçar i skuadrës së Paris Saint-Germainit fitoi famë globale kur ishte adoleshent derisa me Francën e fitoi Kupën e Botës në vitin 2018, duke shënuar katër gola në turneun e mbajtur në Rusi, një sukses që ai thotë se është ndjenjë e rrallë.

“Është e mahnitshme. Është një ngjarje në të cilën mund të konkurrosh vetëm një herë në jetë”, pranoi Mbappe. “Kështu që jam i nderuar që kam arritur ta fitojë këtë turne të rëndësishëm, të cilin e ëndërron çdo futbollist”.

Mbappe tha se është e rëndësishme që të mos lodhen lojtarët dhe për këtë arsye nuk i pëlqen ideja që Botërori të mbahet çdo dy vjet. Ai insiston se ruajtja e bukurisë së këtij turneu duhet të jetë motivi kryesor.

“Është një turne shumë i veçantë, sepse është çdo katër vjet dhe nëse bëhet çdo dy vjet atëherë Kampionati Botëror do të ndihet më shumë si një përvojë e përditshme. Kështu do t’i humb bukuria që e ka në çdo katër vjet”, u shpreh Mbappe.

FIFA ka pretenduar se organizimi i Kupës së Botës çdo dy vjet do të ofronte përfitime të mëdha financiare për të gjitha federatat e saj anëtare. Mirëpo, Mbappe thotë se nuk është paraja që duhet ta bëjë Botërorin të veçantë.

“Nëse doni t’u jepni mbështetësve dhe të gjithë pjesëmarrësve të Kampionatit Botëror diçka të veçantë, duhet t’i bëni ata të presin. Pra, të mbahet çdo katër vjet. Po ashtu edhe lojtarët nuk do të lodhen”, tha Mbappe.

Vetëm tetë përfaqësuese e kanë fituar Kampionatin Botëror në konkurrencën e meshkujve qëkur u mbajt për herë të parë në vitin 1930 në Uruguai. Nuk ka pasur kurrë një fitues të këtij turneu jashtë Evropës apo Amerikës së Jugut.

“Njerëzit duan cilësi dhe emocione të mëdha. Nëse Botërori do të mbahet çdo dy vjet, atëherë do të bjerë edhe niveli i cilësisë për shkak të lodhjes së lojtarëve nga orari i ngarkuar i ndeshjeve”, insistoi Mbappe.

Kupa e Botës e vitit të ardhshëm në Katar do të jetë e fundit me 32 përfaqësuese, përpara se turneu të zgjerohet në 48 përfaqësuese nga viti 2026. Botërori i vitit 2026 do të mbahet në tri shtete të cilat do të jenë bashkorganizatore të kësaj ngjarjeje të madhe futbolli – SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Share This Article