Është ankoruar në portin e Shëngjinit anija ushtarake “Kasiopea” e nisur dy ditë më parë nga brigjet italiane. Anija me 49 emigrantë në bord mbërriti rreth orës 7:30 të mëngjesit të sotëm në brigjet shqiptare, duke rijetëzuar sërish marrëveshjen ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për kampin e refugjatëve në Lezhë.
Emigrantët janë kryesisht nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia, të cilët do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare. Të gjithë emigrantët vijnë nga vendet e përfshira në listën e “sigurt”.
Në hotspotin “italian” të Shëngjinit, azilkërkuesit do të identifikohen dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të thelluar mjekësor. Nëse konstatohen kushte vulnerabël, ata do të dërgohen në Itali siç ka ndodhur në disa raste në dy transferimet e mëparshme në Shqipëri, në tetor dhe nëntor 2024. Më pas do të transferohen në qendrën tjetër nën juridiksionin italian, në Gjadër.
Kjo është herë e tretë që në portin e Shëngjinit mbërrijnë emigrantë, të cilët do të trajtohen në qendrat pritëse të ngritura në Gjadër të Lezhës. Dy transfertat e para dështuan për shkak se drejtësia italiane vendosi kundër marrëveshjes. Por këtë herë kjo gjë nuk pritet të ndodhë pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Romë që legjitimoi marrëveshjen Rama-Meloni, shkruan A2 CNN.
Qendra pritëse e emigrantëve në Gjadër të Lezhës nisi operimin në shtatorin e 2024 pas ndërtimit nga pala italiane. Sipas marrëveshjes, territori i dy qendrave pritëse administrohet nga pala italiane, ndërsa autoritetet shqiptare janë në mbështetje të tyre.