Shoferë të kamionëve në Brazil, besnikë të presidentit Jair Bolsonaro, kanë bllokuar rrugët në të gjithë vendin, pas humbjes së tij në votim ndaj rivalit të majtë Lula.
Sipas mediave të huaja, bllokime u raportuan në të gjitha shtetet, përveç dy shteteve, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme dhe duke prekur zinxhirët e furnizimit me ushqim.
Me të gjitha votat e numëruara, Lula kishte 50.9% të votave të vlefshme kundër 49.1% të Bolsonaro në balotazhin e së dielës.
Dhe presidenti aktual i ekstremit të djathtë as nuk e ka pranuar humbjen dhe as nuk ka sfiduar rezultatet që ndanë kombin.
Kështu, ekzistojnë shqetësime se presidenti në largim mund të komplikojë periudhën dymujore të tranzicionit përpara se Lula (emri i plotë Luíz Inácio Lula da Silva), një ish-president, të betohet në 1 janar 2023.
Siç raportohet, drejtuesit e kamionëve pro-Bolsonaro filluan të vendosnin postblloqe në të gjithë vendin e gjerë menjëherë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve.
Deri të hënën mbrëma, policia federale e autostradave raportoi 342 incidente të tilla, me protestat më të mëdha në jug të vendit. Disa nga bllokimet u “pastruan” më vonë nga policia.
Sipas BBC, shumë shoferë kamionësh kanë përfituar nga kostot më të ulëta të naftës gjatë administratës së Bolsonaro.
Ndërkohë gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, urdhëroi policinë të hënën të shpërndajë menjëherë postblloqet.
Ai paralajmëroi se të gjithë ata që ende bllokojnë rrugët të martën do të gjobiten me 100,000 realë brazilianë (19,500 euro) në orë.
Pas humbjes së ngushtë ndaj rivalit të tij, Bolsonaro, 67 vjeç, thuhet se “është tërhequr në dhomën e tij për të fjetur”.
Të nesërmen në mëngjes, një këshilltar presidencial dhe zëvendëspresidenti janë parë duke mbërritur në pallatin presidencial në Brasilia, por nuk është e qartë nëse ai takoi njerëz të afërt me të dhe çfarë u tha.
Më vonë, zoti Bolsonaro u pa duke lënë pallatin dhe duke udhëtuar drejt ndërtesës ku ndodhet zyra e tij zyrtare.
Deklaratat nga presidenti në të kaluarën – si për shembull se “vetëm Zoti” mund ta largonte atë nga detyra – nënkuptojnë se ka një pritje të tensionuar që ai të shfaqet në publik.
Para zgjedhjeve, ai kishte hedhur vazhdimisht dyshime të pabaza mbi sistemin e votimit.