Më shumë se një mijë marinsa janë dorëzuar në qytetin port të Mariupolit në Ukrainë, sipas ministrisë së Mbrojtjes në Rusi. Nëse rusët arrijnë të marrin zonën industriale të Azovstal ku forcat ukrainase vazhdojnë të rezistojnë, ata do të kishin kontrollin e plotë të qytetit aq shumë të dëshiruar për krijimin e një korridori të rëndësishëm tokësor mes rajoneve të Donbas dhe Krimesë.
“Në qytetin e Mariupolit, pranë uzinës së hekurit dhe çelikut, si rezultat i ofensivave të suksesshme nga forcat e armatosura ruse dhe milicitë e Republikës Popullore të Donetskut, 1026 ushtarë ukrainas të Brigadës së 36-të marinës ukrainase vullnetarisht hodhën armët dhe u dorëzuan”, deklaroi Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes ruse.
Por Kievi i përgënjeshtron pretendimet dhe thotë se beteja në Mariupol po vijon trup më trup. Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë thotë se nuk ka informacion për dorëzim të mundshëm të ushtarëve ukrainas e madje bën të ditur se luftimet po vazhdojnë pranë fabrikës së hekurit dhe çelikut Azovstal, bastioni i të fundit i forcave ukrainase në Mariupol.
Gazetarë të Reuters që shoqërojnë separatistët e mbështetur nga Rusia, raportojnë se flakë po ngrihen nga zona industriale. Nëse pretendimet e Rusisë konfirmohen, ky do të ishte qyteti i parë i madh që bie në duart e pushtuesëve, duke shënuar një kthesë të rëndësishme të rrjedhës së luftës.
Sipas këshilltarit të kryebashkiakut të këtij qyteti, rusët synojnë të organizojnë një paradë në Mariupol më 9 maj, nëse fushata e tyre ushtarake do të ketë sukses. Siç thuhet, trupat janë urdhëruar të pastrojnë distriktin qendror të qytetit nga kufomat dhe mbeturinat për të mundësuar zhvillimin e paradës së fitores. Autoritetet atje vlerësojnë se rreth 21 mijë civilë mund të jenë vrarë në qytetin strategjik, i vënë në shënjestër të bombardimeve që prej nisjes së ofensivës ruse.