Vdekjet e shkaktuara nga koronavirusi në botë kanë tejkaluar pragun prej 2,6 milion, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Sipas universitetit amerikan, 2 608 231 persona kanë humbur jetën në botë për shkak të COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Numri i përgjithshëm i rasteve të infektimit arriti në 117 424 768.
Ndërkohë, Brazili ka regjistruar 1 972 të vdekur nga COVID-19 dhe 70 764 infeksione të reja në 24 orët e fundit, sipas Këshillit të Sekretarisë së Shëndetit (Conass).
Ky është numri më i lartë i të vdekurve në një ditë që nga fillimi i pandemisë.
Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 268 370 dhe numri i rasteve në 11 122 429.
Sipas institutit të Rio de Zhaneiro, mbi 80% e shtretërve të njësive të kujdesit intensiv janë zënë në kryeqytetet e 25 prej 27 shteteve të Brazilit.
Në Japoni gati 400 raste të koronavirusit, ekuivalente me 4,5% të infeksioneve që nga shkurti në vend, i atribuohen varianteve të reja të sëmundjes, që vijnë nga Britania e Madhe, Afrika e Jugut dhe Brazili, sipas një studimi nga Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive, duke shpjeguar se, pavarësisht evolucionit të vazhdueshëm të agjentit patogjen, këto mutacione mund të çojnë në rrezikun e infektimeve të reja dhe reduktimin e efikasitetit të vaksinave aktuale.