Ka shkuar në mbi 5 mijë numri i viktimave nga tërmeti tragjik në Turqi e Siri ndërsa operacioni i kërkim shpëtimit ka vazhduar gjatë gjithë natës.
Reshjet e dendura të shiut e borës po pengojnë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit, të vëna në garë me kohë për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmetit shkatërrimtar që goditi orët e para të së hënës Turqinë juglindore dhe Sirinë fqinjë.
Mbi 5 mijë të vdekur dhe 18,000 të plagosur është deri tani bilanci i fatkeqësisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet në mënyrë dramatike pasi ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gjejnë trupa të pajetë nën rrënoja. Në provincën jugore të Hatay-t, sipas reuters, zeri i një gruaje është dëgjuar të thërrasë për ndihmë nën një pirg gërmadhash, por nuk është nxjerrë dot.
Pamjet tronditëse të përcjella nga AFP, që tregojnë momentet e nxjerrjes së trupave të pajetë të dy vëllezërve të përqafuar, u kthyen në dëshminë më të dhimbshme deri tani të tragjedisë që ka pllakosur Turqinë.
Nuk mungojnë megjithatë as lajmet e shpresës, sic ishte ai i shpëtimit të një gruaje dhe tre fëmijëve të saj pas 28 orësh të kaluara nën gërmadha.
Mjaft njerëz në zonën e fatkeqësisë kanë ende shumë frikë që të kthehen në shtëpitë e tyre. Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 të mëngjesit të hënën në një thellësi prej 17.9 km pranë qytetit turk të Gaziantep, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA. Sizmologët thonë se ishte një nga më të mëdhenjtë e regjistruar ndonjëherë në Turqi, ku gati 3.400 janë të vdekurit deri tani. Të mbijetuarit thonë se lëkundjet e dhunshme të tokës zgjatën për dy minuta.
Një tërmet tjetër me një magnitudë 7.5 ra disa orë më vonë, me epiqëndër Elbistanin në provincën Kahramanmaras. Pak ekipe shpëtimi kanë mbërritur në këtë zonë të Turqisë jugore për të vlerësuar dëmet e për të ofruar ndihmë jetike. Pothuajse 8,000 njerëz janë shpëtuar nga më shumë se 4,700 ndërtesa të rrafshuara me tokën sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë. Teksa paslëkundjet kanë vazhduar gjatë gjithë natës, punonjësit e shpëtimit në disa zona kanë gërmuar edhe me duar nëpër gërmadha, por ngricat poi pengojnë përpjekjet e tyre. Gati 1.500 janë të vdekurit në Siri, ku miliona refugjatë jetojnë në kampe të ngritura pranë kufirit me Turqinë. Mijëra vetë kanë mbetur të pastrehë në një kohë kur temperaturat kanë rënë nën zero. Lëkundjet e tokës janë ndjerë deri në Liban dhe në Qipro e madje ato janë kapur edhe nga aparaturat matëse në Groenlandë.
Qeveritë nga e mbarë bota kanë ofruar ndihmë për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve të fuqishme. I fundit ishte presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili tha se ishte i gatshëm të dërgonte një ekip të kërkim-shpëtimit prej 60 personat si dhe furnizime mjekësore.
Qeveria pakistaneze ka dërguar një avion me pajisje të ndihmës dhe me një ekip të shpëtimit prej 50 anëtarësh. Ky shtet tha se do të organizojë fluturime ditore për në Siri dhe Turqi duke nisur nga 8 shkurti.
India tha se do të dërgojë dy ekipe të kërkimit dhe shpëtimit, përfshirë edhe qen të trajnuar dhe personel mjekësor.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bisedoi me Erdoganin dhe i ofroi ndihmë. Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni do të dërgojë një ekip të kërkim-shpëtimit për t’i ndihmuar Turqisë në përpjekjet e saj.