Më shumë se 600 mijë qytetarë kubanë kanë paraqitur kërkesë për të marrë shtetësinë spanjolle në Konsullatën e Spanjës në Havanë. Dyndja ndodhi në kuadër të Ligjit për Kujtesën Demokratike, ligj i miratuar në tetor të vitit 2022 nga qeveria e Pedro Sánchez.
Ky legjislacion zgjeron ndjeshëm mundësitë e marrjes së shtetësisë për pasardhësit e emigrantëve spanjollë, një kategori shumë e pranishme në Kubë për shkak të lidhjeve historike mes dy vendeve.
Fillimisht, Këshilli i Përgjithshëm i Shtetësisë Spanjolle jashtë vendit kishte parashikuar rreth 350 mijë aplikime nga Kuba. Megjithatë, të dhënat e reja të siguruara nga media kubane “14ymedio”, tregojnë se interesi ka qenë shumë më i madh sesa pritej.
Sipas burimeve diplomatike spanjolle, mbi 600 mijë persona kanë paraqitur kërkesa ose kanë rezervuar takim për aplikim, një numër që tejkalon çdo parashikim të mëparshëm. Aktualisht, rreth 350 mijë kubanë figurojnë të regjistruar si shtetas spanjollë, ndërsa më shumë se 400 mijë dosje të tjera presin ende të thirren në konsullatë.
Fluksi i jashtëzakonshëm i aplikimeve ka vënë nën presion të madh rrjetin konsullor spanjoll në Kubë, i cili prej vitesh përballet me mungesë personeli dhe infrastrukturë të pamjaftueshme për të përballuar kërkesa të tilla. Sipas kryetares së Këshillit të Përgjithshëm të Shtetësisë Spanjolle jashtë vendit, Violeta Alonso, përfundimi i të gjitha procedurave do të kërkojë “shumë vite”, duke theksuar se kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme për t’i përpunuar kaq dosje në kohë të shkurtër.
Për Kubën, ku shumë familje kanë rrënjë spanjolle, ky proces përbën një nga valët më të mëdha të kërkesave për shtetësi evropiane në historinë e saj moderne. Ndërkohë, për Spanjën, paraqet një sfidë të rëndësishme organizative dhe diplomatike, duke kërkuar rritje të burimeve dhe stafit konsullor për të shmangur bllokimin total të procesit.




