Një detar që ra nga një anije furnizimesh në Oqeanin Paqësor në orën 4 të mëngjesit qëndroi për më shumë se 14 orë i kapur për një bove para se të shpëtohej.
I vetëm në mes të oqeanit dhe pa jelek shpëtues, ai vendosi në mëngjes që të notonte drejt një pike të zezë që e pa në horizont. Më vonë doli që ky vendim ia shpëtoi jetën.
Vidam Perevertilov, kryeinxhinier i anijes “Silver Supporter” i kishte thënë djalit të tij se nuk ndihej mirë pasi e kishte përfunduar ndërrimin e natës dhe kishte dalë jashtë dhomës së motorit për t’u freskuar, para se të binte nga anija, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Atij nuk i kujtohet kur ka rënë nga anija. Mund t’i ketë rënë të fikët”, tha djali i tij, Marati, për një medium të Zelandës së Re.
Perevetilovit i kujtohet kur i është kthyer vetëdija dhe kur e ka parë anijen duke u larguar në errësirë. Ekuipazhi nuk e vërejti mungesën e tij për gjashtë orë.
Anija lëshoi thirrje alarmi, ndërsa një aeroplan i forcave detare franceze iu bashkua kërkimit nga Polinezia, ndërsa shërbimi meteorologjik francez i hulumtoi drejtimin e erës dhe rrymat e ujit për ta parashikuar lëvizjen e mundshme të detarit të zhdukur.
“Vullneti i tij për të mbijetuar ishte i fortë, por më tha se kishte vështirësi të qëndronte mbi ujë derisa lindi dielli”, tha djali i tij. Perevertilov u nxor nga uji shumë i lodhur, por nuk ishte i lënduar.