Pas mbledhjes së zhvilluar sot me Sali Berishën dhe deputetët e opozitës, para gazetarëve ka folur edhe Gazment Bardhi. Ai tha se nuk do të tërhiqen nga kërkesat për ngritjen e tre komisioneve hetimore, ndërsa sa i takon zhvillimeve të fundit në Parlament, ai tha se nuk do të pranojnë provokime.
Sipas tij nëse do të provokohen do të përgjigjen, teksa shton se nuk do të ketë seancë normale nëse nuk vendosen të drejtat e deputetëve të opozitës në vend. Ai tha se do të përgjigjen “me çdo çmim”.
“Komisionet hetimore, 45 deputetë të opozitës kanë depozituar kërkesën në Kuvend për ngritjen e 3 komisioneve. Përbërja e Komisionet të Reformës Zgjedhore, prioritet për PD dhe mazhoranca duhet të heqë do të për diktimin se kush do jenë përfaqësuesit e PD. Edhe dje, kreu i grupit të PS gënjeu se propozimi i emrave të anëtarëve është çështje e partive politike. Kam këtu shkresën sesi janë caktuar anëtarët aktualë të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nikolla duhet të heqë dorë nga trajtimi i vetës si specialiste e protokolleve të Bashës. Nuk pranojmë provokime nga PS, nuk do ketë seancë normale”, tha ai.
Sa i takon kërkesës së PS për përjashtimin e 7 deputetëve nga Kuvendi, ai tha se nuk do t’i njohin këto masa, duke i cilësuar si arbitrare.
“Nuk njohim përjashtime arbitrare, janë një tjetër hap për t’i mohuar të drejtat deputetëve të opozitës, shenjë arrogance. Të heqin dorë nga aktet e provokimit të opozitës. Po na nxisin drejt akteve ekstreme”, tha ai.