Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, gjatë fjalës së tij në parlamentin Britanik, ka folur dhe për luftën në Gaza, konfliktin me mes Izraelit dhe grupit terrorist të Hamasit, ku dhe ka lajmëruar ndihmën humanitare për Gazën.
Ndërsa ka shprehur ngushëllimet dhe nderimet e tij për të vrarët në Izrael, Sunak është shprehur se edhe palestinezët po vuajnë gjithashtu, duke i quajtur ata “viktima të Hamasit”.
Ndër të tjera, Sunak theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të japë 20 milionë fonte të tjera ndihmë humanitare për Gazën, duke dyfishuar financimin e saj të mëparshëm.
Sipas BBC, Rishi Sunak tha se në bazë të analizave nga inteligjenca britanike, “qeveria e Mbretërisë së Bashkuar gjykon se shpërthimi në spitalin Al-Ahli të Gazës ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një raketë ose pjesë e një rakete që është lëshuar nga brenda, nga Gaza drejt Izraelit”.
Sunak ndër të tjera tha se keqraportimi i incidentit në spitalin e Gazës “kishte një efekt negativ në rajon, duke përfshirë në një përpjekje jetike diplomatike të SHBA-së për normalizimin e tënsioneve”.
Autoritetet palestineze të kontrolluara nga Hamasi në Gaza, fajësuan menjëherë Izraelin për shpërthimin e javës së kaluar në spitalin Al-Ahli, duke pretenduar se ai u shkaktua nga një sulm ajror i qëllimshëm.
Izraeli më pas lëshoi prova që tha se vërtetonin se Xhihadi Islamik Palestinez, një tjetër grup militant që vepron në Gaza, ishte përgjegjës për shkak të një rakete të gabuar. Xhihadi Islamik mohoi çdo rol në shpërthim.