Mbretëria e Bashkuar ka nisur një projekt me vlerë 34 milionë euro për të ndërtuar një dron luftarak që do të përdoret në misione ushtarake në të gjithë botën.
I quajtur “shoku besnik”, droni, i cili nuk do të ketë pilot, do të ndihmojë avionët duke ofruar informacione rreth forcave kundërshtare. Ministria britanike e Mbrojtjes tha se ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me kompaninë irlandezo-veriore, Spirit AeroSystems, për të prodhuar prototipin që do të jetë edhe në gjendje të lëshojë predha dhe bomba ndaj avionëve kundërshtarë.
E gjithë sipërmarrja është quajtur “projekti mushkonja” dhe shihet si një element jetik në modernizimin e forcave ajrore britanike. Droni do të jetë 11 metra i gjatë dhe do të ketë mundësi të fluturojë me shpejtësi deri në 3700 km/h.