Mbreti i Britanisë Charles III vlerësoi Gjermaninë për “mikpritjen e jashtëzakonshme” ndaj refugjatëve ukrainas gjatë vizitës së tij të parë shtetërore si monark.
Mbreti tha se Britania e Madhe dhe Gjermania “qëndrojnë së bashku me Ukrainën në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit”. Teksa mori një dolli në banketin bujar shtetëror, Charles foli pjesërisht në gjermanisht duke premtuar se do të forconte lidhjet me Gjermaninë.
Fjalimi para personaliteteve të të dy vendeve, përfshirë ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, shkaktoi shumë të qeshura dhe duartrokitje.
Vizita tre-ditore në Gjermani, në të cilën ai erdhi së bashku me bashkëshorten Mbretëresha Konsortë Camilla, pasoi anulimin e një vizite në Francë pas trazirave në disa qytete mbi reformat e pensioneve të planifikuara nga qeveria e presidentit francez Emmanuel Macron.
Gjermania u bë kështu vendi i parë që Charles vizitoi që kur u bë Mbret i Britanisë së Madhe. Në të njëjtën kohë, kjo është vizita e parë në Gjermani e monarkut britanik që nga viti 2015, kur mbretëresha e ndjerë Elizabeth II vizitoi për herë të fundit atë vend.
Qeveria britanike shpreson se vizita e mbretit do të forcojë marrëdhëniet midis dy vendeve pas vendimit të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, të cilin presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e përshkroi si një “ditë të trishtuar” në një dolli.
Në pallatin presidencial Bellevue të mërkurën mbrëma, mbreti britanik tha se do të bënte gjithçka që mundej për të “forcuar lidhjet” midis dy vendeve. Ai vlerësoi gjithashtu “shpirtin bujar të popullit gjerman” për pranimin e më shumë se një milion refugjatëve ukrainas si rezultat i konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë.
“Ne qëndrojmë krah për krah në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike dhe qëndrojmë me Ukrainën në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit përballë agresionit të paprovokuar”, tha ai.
Mbreti foli edhe për luftën kundër ndryshimeve klimatike.
“Kam besim të plotë se lidhjet mes nesh do të forcohen ndërsa punojmë së bashku drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme, më të begatë dhe të sigurt“- tha Charles.
Ai përmendi edhe nënën e tij të ndjerë, duke falënderuar popullin gjerman për mesazhet e “mbështetjes dhe dashurisë” që ata dërguan kur ajo vdiq vitin e kaluar.
“Gjatë gjithë këtyre viteve, unë kam qenë i pushtuar nga ngrohtësia dhe miqësia e popujve tanë dhe vitaliteti i partneritetit tonë në fusha të panumërta“- tha mbreti britanik, duke shtuar se: “Ishte, zoti President, një miqësi shumë e rëndësishme për nënën time, mbretëreshën e ndjerë, e cila kujdesej për marrëdhëniet mes dy vendeve tona.”
“Marrëdhënia mes Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe është shumë e rëndësishme për mua… Do të bëj gjithçka që mundem për të forcuar lidhjet mes nesh”, tha Charles.