Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas mbylljes edhe të një institucioni paralel të Serbisë në veri të Mitrovicës.
Ai ka theksuar se aktiviteti ilegal i Agjencisë Tatimore të Serbisë do të hetohet nga mekanizmat përkatës të Kosovës, dhe ka përsëritur angazhimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar çdo formë paralelizmi kriminal që mbështetet nga Serbia.
Në një postim në Facebook, Sveçla tha se ky institucion i Serbisë kishte mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarët dhe subjektet që operojnë në territorin e Kosovës.
“Ky insitucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë”, ka shkruar Sveçla.
Ministri ka shtuar se ky aktivitet ka qenë një përpjekje e grupeve kriminale që janë lojaliste ndaj Serbisë dhe figurave si Vladimir Putin.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo formë të paralelizmit kriminal dhe do t’i dërgojmë para drejtësisë ata që e mbështesin atë,” theksoi Sveçla.