Në një dalje për gazetarët në oborrin e Kuvendit, Sali Berisha theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për cështjen McGonigal.
Kreu i demokratëve deklaroi se përpos fakteve të bëra publike deri më tani, janë kryer veprime të tjera korruptive si dhëna e licencave të naftës apo gjobitja e biznesmenëve shqiptarë.
“Rama Foli sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ky kërkon ose mendon se ketë cështje do ta mbyllë me retorikë boshe. Krijimi i komisionit hetimor parlamentar është themelor. Duhet hetuar gjerësisht veprimtaria e tyre në Tiranë.”
I pyetur për paratë ruse që kryeministri Rama i kujtoi opozitës gjatë mocionit në Parlament, kryedemokrati theksoi se pavarësisht çdo fakti, kreu i qeverisë dhe faktori ndërkombëtar bëri gjithçka për ta mbajtur në PD, ish-kryetarin.
“Paratë ruse? Rama tregon se çfarë formimi ka. Ka akuzuar, dërguar në prokurori Bashën për larje parash dhe i ka mbyllur dosjet sipas ligjeve shqiptare. Për atë akt Bashës i takonte të dënohej për 6 vite. Nuk ka akuza në dosje për para ruse. Si ka mundësi që Kim bëri gjithçka për të mbajtur në PD, Lulzim Bashën? U bë gjithçka që Basha të mbetej në krye të PD, vetëm për interesa të Edi Ramës.”
E sa i përket protestës së nesërme, kreu i opozitës tha se do të jetë madhështore teksa theksoi se nuk ka asnjë lidhje me vendimin që pritet të merret nga Gjykata për çështjen e vulës së PD-së.
“Protesta nuk ka asnjë lidhje. Unë nuk mund të paragjykoj një vendim që nuk ekziston asnjë bazë e vetme ligjore për të shpallur palë atë që nuk është palë,” shtoi Berisha.