Ministrja e Financave, Delina Imbrahimaj është ndier në siklet kur në një dalje për mediat mbrëmjen e së premtes u pyet për deklaratën e saj të bërë tashmë virale në rrjetet sociale se “me 130-140 euro në muaj nuk konsiderohesh i varfër”. Ministrja u pyet që të jepte një sqarim për këtë deklaratë, por ajo e shmangu.
“Sot jemi për të folur për krizën. Deklarata është një pyetje që mu bë për një tregues statistikor për shkak të detyrave që unë kam mbajtur në të kaluarën. Ka teknikalite në statistika.
Ne mund të flasim shumë gjatë për këtë tregues, por nuk është sot momenti për mënyrën se si INSTAT kalkulon shifrat. Sot është momenti për të folur për produktet e shportës”, – tha ministrja.
Një natë më parë ministrja e Financave u pyet se sa duhet të marrë një person për të mos u konsideruar i varfër në situatën ku po jetojmë.
“Ne kemi një përllogaritje të familjes mesatare. Nuk kemi një përllogaritje sa duhet të jenë të ardhurat e një personi. Patjetër kjo shumëzohet me familjen mesatare që është 3.5 persona.
Nëse pyetja referohet sa duhet të gjenerojë një individ për të mos u konsideruar i varfër, kjo shifër është diku tek 130-140 euro për person”, – u përgjigj Ibrahimaj.