Në datën 30 shtator, demokratët e 5 bashkive të qarkut Shkoder do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kandidatët për deputet.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar degës së Shkodrës udhezimin nr 60/3 duke sqaruar në detaje hapat që duhet të ndiqen dhe mënyrën se si do të votohet.
Kështu të mërkurën e 30 shtatorit bëhet çelja e proçesit në orën 10.00 dhe ai do të qëndrojë i hapur deri në orën 18.00, ku gjithçka do të administrohet prej komisionit qëndror zgjedhor të partisë demokratike.
Komisioni i votimit do të bëhet nga 3 anëtarë dhe të gjitha degët lokale duhet të marrin masa sipas protokollit që parashikon periudha e pandemisë, nën masat anti – covid.
Listat e kandidatëve që i nënshtrohen procesit te konsultimit shpallet jo më vone se 24 orë përpara ditës së votimit. Lista e kandidatëve për konfirmim në varësi të numrit të kandidateve dhe anëtarëve të çdo dege do të hartohet në nivel dege, grup degësh apo Qarku.
Secili kandidat përpara procesit të konsultimit me anëtarësinë duhet të nënshkruajë një deklarate personale ku merr përsipër përgjegjësinë që të mos përfshihet në praktika të ndaluara që dëmtojnë garën e lirë të ndershme dhe të barabartë brenda partisë sipas Formatit të miratuar me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm.
Shkelja e këtyre rregullave thuhet në dokument sjell edhe skualifikimin e menjëhershëm të kandidatit nga Lista e Kandidateve të mundshëm, që do të përfshihen në procesin e konfirmimit nga anëtarësia që i dorëzohen Kryesisë së Partisë pas procesit te konsultimit.
Në dokument është përcaktuar qartë edhe numri minimal që anëtarësia duhet të kontestojë një emër. Sipas udhëzimit për Shkodrën, është 4 numri i kandidatëve që kontestohen, ndërkohë që për një emër duhet të jenë kundër 620 vota të demokratëve.
Për 4 bashkitë e tjera është vetëm 1 numri i kandidatit që kontestohet dhe për Vau Dejesin duhet të marrë 130 vota kundër, për Malësinë e Madhe 190 ndërsa për Pukë e Fushë Arrëz nga 102 vota.
Tashme pritet për t’u parë edhe lista që do të mbërrijë në Shkodër, por edhe emrat që anëtarësia e Shkodrës do të zgjedhë si përfaqësues të listës në zgjedhjet e 25 Prillit pavarësisht se do të jetë sërish Kryesia e PD në Tirane ajo që do të thotë fjalën e fundit.
Dega e PD Shkoder do të mbledh kryesinë të marten pasdreke për të lexuar këtë shkrese dhe vendosur në zbatim porositë.