Sfida e vlefshme për Europa League mes Dinamos së Kievit dhe Lazios që do të luhet në fushën asnjanëse të “Volksparkstadion” të Hamburgut, është nxehur përpara startit.
Rreth 40 tifozë të bardhekaltërve janë ndaluar nga policia gjermane dhe nuk do të lejohen të ndjekin sfidën nga shkallët e stadiumit, pasi mjete piroteknike dhe armë të ftohta, por jo thika siç raportoi fillimisht gazeta Hamburger Abendblatt.
Pasi iu sekuestruan sendet e jashtëligjshme ata u dërguan në komisariat dhe pas disa orësh ku përfundoi procesi i identifikimit u lanë të lirë. Përveçse nuk do të lejohen në stadium ky grup tifozësh do të ndalohet edhe që të afrohen në zona të caktuara të qytetit.
“Është kryer një operacion kontrolli ndaj një grupi tifozësh të pranishëm në qendër të qytetit. Gjatë kontrollit janë gjetur objekte që nuk lejohen në stadium. Grupi u arrestua nga policia dhe iu ndalua hyrja në stadium. Ftohen tifozët e Lazios të ndjekin informacionin e dhënë tashmë nga klubi për të arritur në stadiumin e Hamburgut në kushte të sigurta”, sqaroi klubi italian përmes një deklarate pak pasi u kryen arrestimet.
Pak më pak se një mijë tifozë të Lazios priten në Hamburg, ku ukrainasit e Dinamo Kievit i luajnë ndeshjet evropiane në shtëpi duke pasur parasysh pamundësinë për t’i luajtur në vendin e tyre.