Bota
“Me çfarëdo çmimi qoftë” – investime historike në Gjermani
Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, njoftoi se ka rënë dakord me partnerët e pritshëm të qeverisë, socialdemokratët, që të investojë për mbrojtjen duke marrë hua pa limit.
Në të ardhmen, të gjitha shpenzimet e mbrojtjes që e kalojnë një për qind të prodhimit të brendshëm bruto do të përjashtohen nga kufizimet e frenës kushtetuese të borxhit.
U ra dakord që të investohet masivisht edhe në infrastrukturë, me një shumë prej 500 miliardë eurosh, për dhjetë vitet e ardhshme. Së treti, do të lejohet të marrin borxhe edhe landet federale të Gjermanisë, gjë që deri tani nuk u lejohej.
Kreu i CDU-së Friedrich Merz tha në Berlin se “përballë kërcënimeve për lirinë dhe paqen në kontinentin tonë, edhe mbrojtja jonë tani duhet të bazohet në moton: “Whatever it takes” (“Me çfarëdo çmimi qoftë”).
Për të tri vendimet, tani duhet të ndryshohet kushtetuta e Gjermanisë.
Marrëveshja midis CDU e SPD erdhi papritur

Kemi një dakordim në kohë rekord mes CDU/CSU dhe SPD për kornizën financiare të të gjithë legjislaturës – dhe shtysa kryesore është politika e jashtme. Pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe administratës së re amerikane në Evropë u përhap tronditje dhe pasoi një katarakt veprimesh, shkruan dw.
Kjo e vuri edhe Gjermaninë nën presion të jashtëzakonshëm. Deklarata e Merz-it për masat historike u bë disa orë përpara fjalimit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump në dy dhomat e Kongresit amerikan. Para fjalimit të Trumpit, në kryeqytetet evropiane qarkullonin fjalë se Trumpi mund të shpallë në fjalim daljen e SHBA nga NATO-ja.
Prandaj Merzi tha të martën se “unë jam shumë mirënjohës, që me këtë vendim e dëshmojmë sot në mënyrë të plotë, aftësinë për të vepruar në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë.” Ai shtoi më tej se: “po të ndodhë sonte natën që Trumpi të shqyrtojë ose të shpallë fare një dalje nga NATO-ja, atëherë ne si Republikë Federale e Gjermanisë jemi të parët që reagojmë që paraprakisht si duhet ndaj kësaj”.
Rëndësia e vendimit të Gjermanisë për Evropën

Evropa synon të mobilizojë deri 800 miliardë euro për mbrojtjen, siç u vendos dje (06.3.) në samitin e posaçëm të BE në Bruksel. Por kjo mund të realizohet në plan afatmesëm. Sipas rrjetit Bloomberg dhe Frankfurter Allgemeine Zeitung tani madje është Berlini që këmbëngul në Bruksel që të nisin bisedime për një reformë afatgjatë të rregullave buxhetore të komunitetit. Kjo do t’u mundësonte shteteve të BE të shpenzojnë “sa e konsiderojnë të drejtë” për armatimin, siç u shpreh dje kancelari Olaf Scholz.
Por deri sa të ndodhë kjo, shtetet e veçanta mund të veprojnë më shpejt. Me masat e marra, shpenzimet gjermane për mbrojtjen pritet të arrijnë 3.5 për qind të GDP në 2027, thonë analistët. Ky investim ofron siguri për gjithë Evropën. Gjermania avancon në krye të shteteve të tjera.
Pritet të shihet nëse investimi masiv financiar do të ndryshojë edhe natyrën e Bundeswehrit: pra nëse forcat e armatosura gjermane do marrin natyrë intervenuese, si p.sh. ushtritë e Britanisë së Madhe dhe të Francës.
Kthesë fiskale e politike

Deutsche Bank foli për “kthesën më të madhe dhe më të shpejtë në politikën fiskale në historinë gjermane pas ribashkimit.”
Që prej ribashkimit të Gjermanisë, më 1989, shpenzimet e qeverisë gjermane nuk janë rritur asnjëherë më shpejtësinë e këtyre ditëve. Dhe me përmasa të tilla. Vetëm për të financuar ribashkimin, Gjermania vendosi të bëjë një ekspansion të ngjashëm fiskal. Bëhet fjalë për një paketë financiare prej rreth 1 bilion euro, pra 1000 miliarda euro.
Por ka edhe një aspekt tjetër. Huat që do të merren për të financuar masat pritet ta ndikojnë Gjermaninë ngjashëm si në kohën pas ribashkimit. Si pasojë e masave, në pesë vitet pas ribashkimit deficiti buxhetor i Gjermanisë u rrit nga 41% të GDP në 60%.
Aktualisht deficiti buxhetor i Gjermanisë është 62%, por pritet të shkojë deri 84%. Ky është një borxh megjithatë i ulët, krahasuar p.sh. me Francën, që ka një deficit buxhetor prej 115%.
Pasojat e masave për Evropën dhe Gjermaninë
Tregjet financiare reaguan menjëherë ndaj deklaratës së Merzit: me eufori, por edhe duke i rritur kostot për huat shtetërore afatgjata gjermane, pasi shtohen rreziqet. Dhe kjo rrit në të gjithë Eurozonën kostot e huamarrjes. Megjithatë lëvizja e Gjermanisë dëshmon edhe dëshirë për investime dhe si parim tregjet këtë e shpërblejnë.
Ekonominë gjermane vendimet e marra pritet ta ndikojnë pozitivisht. Ato shtojnë sigurinë dhe gatishmërinë e sipërmarrësve për të investuar. Gjithashtu, kapacitete industriale që kanë dalë të tepërta, p.sh. në industrinë e automjeteve, mund të përdoren për industrinë ushtarake.
Për sa i përket fondit për infrastrukturën u vendos për një fond special, me një qëllim shumë specifik, dhe jo për një formë për formë tjetër huaje, edhe që populli të mos rëndohet menjëherë nga shlyerja e borxhit. Fondet speciale janë hua, të cilat mund t’i shlyesh shumë ngadalë. Shlyerja mund të zgjasë edhe një apo dy breza, sipas vëzhguesve.
Braktisje e premtimeve të fushatës nga CDU/CSU në situatë të jashtëzakonshme
Vetëm 10 ditë pas zgjedhjeve CDU/CSU braktisi premtimin kryesor të fushatës elektorale, për t’i nxjerrë paratë për investime nga kursimet dhe për të mos e prekur frenën e borxhit. Kjo është kritika më e madhe me të cilën përballet tani CDU-ja dhe Merzi.
Por Merzi nuk është i pari kancelar (i ardhshëm) që e ndryshon qëndrimin pas zgjedhjeve, në situata të jashtëzakonshme. Në vitin 1990, Helmut Kohli kishte mjaft kritikë në kampin e tij, për ribashkimin e ekonomive të RFGJ dhe RDGJ. Në vitin 2002, kancelari socialdemokrat Gerhard Schroder braktisi pjesërisht premtimet elektorale dhe nisi me “Agenda 2010” një program të reformimit të thellë të tregut të punës dhe shkurtimeve sociale.
Por, as kritikët nuk e mohojnë situatën dramatike gjeopolitike aktuale. Rrethana të jashtëzakonshme justifikojnë hapa të jashtëzakonshëm.
Heinrich August Winkler: 2025 – kthesa më e thellë nga rënia e perandorisë sovjetike
Historiani i shquar gjerman, Heinrich August Winkler shkruan në numrin e sotëm të Frankfurter Allgemeine Zeitung se pak javë pas riardhjes në pushtet të presidentit Trump “viti 2025 ka të ngjarë të jetë kthesa më e thellë në historinë botërore që nga rënia e perandorisë sovjetike midis viteve 1989 dhe 1991, dhe në të vërtetë ndoshta që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore 80 vjet më parë”. Politologë të njohur si Ivan Krastev i krahasojnë shndërrimet e nisura nga SHBA me një revolucion kulturor, me pasoja të paparashikueshme për SHBA dhe Perëndimin.
Merz: Miratimi i vendimeve një udhëtim i vështirë

Friedrich Merzi e shfrytëzoi këtë moment për të zgjidhur çështjen e fondeve, problemin financiar që solli shpërbërjen e koalicionit trepartiak të kancelarit Scholz. Megjithatë, tre ndryshimet e kushtetutës për miratimin e masave, pritet të jenë „një udhëtim i vështirë”, siç u shpreh Merz në një mbledhje të CDU-së. Migrimi, kthimi që në kufi i migrantëve që kërkon CDU-ja, vazhdon ta ndajë me socialdemokratët. Kjo megjithëse ai u bëri lëshim socialdemokratëve me fondin e gjerë për infrastrukturën, pra për shkollat, rrugët, hekurudhat etj.
Leximi i parë i paketës ligjore do të nisë të hënën, më 13 mars, leximi i dytë dhe i tretë priten në 18 mars. Miratimi do të kërkohet në Bundestagun e vjetër, pasi me Bundestagun e dalë pas zgjedhjeve të 23 shkurtit, dy partitë e skajit të djathtë dhe të majtë, AfD dhe E Majta, pritej ta bllokonin dakordimin. E Majta ka kërcënuar edhe tani se mund ta çojë “shpërdorimin” e besimit të zgjedhësve nga Merzi, anashkalimin e Bundestagut të ri, para Gjykatës Kushtetuese gjermane.
Marrëveshja midis CDU/CSU dhe SPD, pas miratimit në Bundestag, do të bëjë që të braktisen, tabutë fiskale “të vjetëruara” të kushtetutës. Frena kushtetuese, që i kufizon shpenzimet e reja në 0,35 % të PBB, ishte një “problem” i shkaktuar vetë, e disi i pakuptueshëm për kohën e sotme jashtë Gjermanisë. Edhe Banka Qendrore e Gjermanisë propozoi ditët e fundit masa për reformimin e frenës buxhetore.
Goditja çliruese që inicioi Merzi dëshmon aftësi drejtuese të tij. “Berlin is back” (“Berlini tani u kthye”) këtë frazë e dëgjon dendur tani në Bruksel, ende të habitur për kthesën në Gjermani.
Bota
Grabitje spektakolare në Gjermani, hajdutët vjedhin 30 milionë euro nga një bankë
Një grabitje e përmasave të mëdha ka tronditur Gjermaninë perëndimore, ku hajdutë të paidentifikuar kanë vjedhur rreth 30 milionë euro nga një degë e bankës Sparkasse në qytetin Gelsenkirchen.
Sipas policisë, autorët përdorën një shpues industrial për të hapur kasafortën nëntokësore, duke e realizuar operacionin në mënyrë tepër profesionale, të krahasueshme me skenarët e filmave të Hollivudit.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë ditëve të qeta të Krishtlindjeve. Hetimet paraprake tregojnë se grabitësit hynë dhe u larguan nga godina përmes një garazhi parkimi ngjitur me bankën. Ata thyen mbi 3000 kasaforta personale që përmbanin para, ar dhe bizhuteri. Grabitja u kuptua vetëm në orët e para të së hënës, kur u aktivizua një alarm zjarri.
Dëshmitarë okularë kanë raportuar se panë disa persona që transportonin çanta të mëdha gjatë natës, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar një automjet luksoz, Audi RS6 të zi, duke u larguar nga garazhi. Deri tani nuk ka arrestime.
Banka Sparkasse ka njoftuar se 95% e kasafortave janë hapur me forcë dhe ka kërkuar nga klientët të kontaktojnë një linjë të posaçme. Çdo kasafortë është e siguruar deri në vlerën 10300 euro.
Bota
George dhe Amal Clooney marrin shtetësinë franceze së bashku me fëmijët e tyre
Aktori i njohur amerikan George Clooney, bashkëshortja e tij Amal Clooney, avokate e të drejtave të njeriut, si dhe binjakët e tyre Ella dhe Alexander, janë pajisur zyrtarisht me shtetësinë franceze. Vendimi është bërë publik në Journal Officiel, organi zyrtar ku publikohen dekretet e qeverisë franceze.
Familja Clooney jeton kryesisht në një fermë në Brignoles, në jug të Francës, blerë në vitin 2021. Kryebashkiaku i qytetit, Didier Brémond, u shpreh për mediat lokale se zgjedhja e çiftit për t’u bërë shtetas francezë tregon “dashurinë e tyre për Francën”, duke i përshkruar si një familje të thjeshtë dhe të aksesueshme.
Në një intervistë për revistën Esquire, Clooney tregoi se vendimi për t’u zhvendosur në Francë lidhej me shqetësimin për rritjen e fëmijëve në Los Anxhelos dhe ndikimin e kulturës së Hollivudit. Ai theksoi se dëshironte një jetë më normale për ta, larg paparacëve dhe krahasimeve me fëmijë të tjerë të famshëm.
Binjakët e çiftit kanë lindur në Londër në vitin 2017. Amal Clooney, e lindur në Liban dhe e rritur në Britani, është natyralizuar me mbiemrin e saj të vajzërisë, Amal Alamuddin. Ndërsa fëmijët dhe Amal flasin rrjedhshëm frëngjisht, George Clooney pranon me humor se gjuha franceze mbetet ende një sfidë për të.
Bota
Raporti amerikan zbulon se sa armë bërthamore zotëron Kina dhe a mund të sulmojë SHBA-të!
Një raport i ri i Pentagonit detajon aftësitë raketore bërthamore të Kinës dhe aftësinë e saj për të goditur Shtetet e Bashkuara në rast të një lufte botërore.
Raporti, i cili iu dorëzua Kongresit më 23 dhjetor, thotë se Kina është e aftë të godasë pjesën më të madhe të SHBA-së me raketat DF-31.
Raporti nënvizon:
“Përforcimi historik ushtarak i Kinës e ka bërë kontinentin e SHBA-së gjithnjë e më të prekshëm. Kina mban një arsenal të madh dhe në rritje të armëve bërthamore, detare dhe konvencionale me rreze të gjatë veprimi, si dhe aftësi kibernetike dhe hapësinore, të afta të kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e amerikanëve”.
Qëllimi përfundimtar i Kinës
Departamenti Amerikan i Luftës pretendon se qëllimi përfundimtar i Kinës është të bëhet një superfuqi globale deri në vitin 2049, e aftë të mbrojë të gjitha interesat e vendit.
Me një ushtri të klasit botëror, Departamenti Amerikan beson se Kina do të kërkojë të pushtojë Tajvanin dhe ta përfshijë atë në Kinë, pasi ajo tashmë e pretendon ishullin si pjesë të shtetit kinez.
Raporti tha gjithashtu se Kina ka të paktën 100 raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) DF-31, të cilat janë zhvendosur në vende nëntokësore lëshimi, të njohura si silos. Këto raketa kanë një rreze veprimi prej 11,000 kilometrash, duke mbuluar pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara.
Këto silura janë vendosur në zona të largëta në Kinën veriore dhe perëndimore: në Hami, Xinjiang, Yumen, Gansu dhe Yulin, Mongolia e Brendshme, pranë kufirit me Mongolinë. Edhe pse Kina vlerësohet të ketë gjithsej 320 silo në këto tre zona, SHBA-të besojnë se vetëm 100 prej tyre janë të pajisura me raketa.
“Trump kërkon paqe”
Duke folur për Daily Mail, një zyrtar i lartë i Departamentit të Luftës tha se Donald Trump dhe administrata e tij po kërkojnë të ulin tensionet dhe në fund të fundit të shmangin çdo konflikt global, siç është një Luftë e Tretë Botërore.
“Presidenti Trump kërkon një paqe të qëndrueshme, tregti të drejtë dhe marrëdhënie të respektueshme reciprokisht me Kinën. Departamenti i Luftës do të mbështesë qëllimin e Presidentit duke hapur një gamë më të gjerë komunikimesh ushtarake me Ushtrinë Çlirimtare Popullore dhe duke kërkuar mënyra të tjera për t’i bërë të qarta qëllimet tona paqësore”, tha ai.
Frika e republikanëve
Megjithatë, disa republikanë kanë paralajmëruar për “kërcënimin” që Kina përbën për SHBA-të në të ardhmen.
Sipas një raporti nga ‘Politico’, përfaqësuesi Nathaniel Moran paralajmëroi se Kina mund të kthehet kundër SHBA-së në sektorin farmaceutik, pasi furnizon rreth 80% të përbërësve aktivë farmaceutikë të përdorur në Shtetet e Bashkuara.
“Brenda natës, Kina mund të mbyllë rubinetin dhe shumë produkte thelbësore farmaceutike, madje edhe gjëra si aspirina, mund të zhduken nga zinxhiri i furnizimit në Shtetet e Bashkuara”, paralajmëroi ai.
Ai iu referua gjithashtu fuqisë ushtarake në rritje të vendit dhe shtoi:
“Ne e dimë se qëllimi afatgjatë i Kinës është në thelb dominimi ekonomik, diplomatik dhe ushtarak në të gjithë botën, dhe ata i shohin Shtetet e Bashkuara si një kundërshtar”.
-
UK2 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania2 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
UK15 hours agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
-
Albania16 hours agoIronia e një dosje sekrete në Harvard: Amerikanë mbroni Trashëgiminë Ilire, Shqiptarët pas ’90-s e shkatërruan …
