Ilir Murturi i ka përfunduar studimet e doktoratës në Universitetin Teknik të Vjenës, respektivisht në Fakultetin e Informatikës që rangohet i pari në Austri dhe i 73-ti në botë.
Ai ka punuar edhe si mësimdhënës në këtë universitet, por që kjo përvojë e tij nuk ka mjaftuar që ai të marrë pozitën e Profesor Asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), në kuadër të Universitetit të Prishtinës (UP), përcjell albinfo.at.
“Për mua gjithmonë ka qenë dhe mbetet mision në jetë të kthehem në Kosovë dhe të kontribuoj duke ushtruar profesionin tim të hulumtuesit shkencor që tani e 8 vjet e mbaj. Natyrisht, për kolegët në Vjenë asnjëherë kjo nuk është mirëpritur, sepse për ta është e pakuptimtë kalimi nga një universitet, i cili rangohet në mesin e universiteteve më prestigjioze në botë, në një institucion që nuk gëzon reputacion të mirë në komunitetin shkencor ndërkombëtar. Sepse për ta kjo është thjesht sakrifikim i karrierës akademike që kam ndërtuar përgjatë 6 vjetëve të fundit në Universitetin Teknik të Vjenës”, është shprehur ai.
Me një reagim të tij, ai pretendon se komisioni recensues i ka pranuar si kontribute shkencore për kundërkandiatin e tij edhe punimet e botuara nga një shtëpi botuese në Prishtinë.
“Dhe, përkundër një portofoli të shkëlqyeshëm të punimeve shkencore, komisioni recensues propozon kandidatin tjetër me doktoratë nga një universitet i rajonit, i cili nuk rangohet nga asnjë institucion ndërkombëtar si dhe me një numër konsiderueshëm më pak të punimeve. Ndërsa, pjesa më e tmerrshme e këtij vendimi është që komisioni recensues për kandidatin e përzgjedhur ka pranuar si kontribute “shkencore” punimet e botuara në “RICOH” (fotokopje/botues në Prishtinë), skripta me detyra, si dhe përkthime – pa bërë asnjë analizë në lidhje me cilësinë, impaktin e tyre në fushën e studimit përkatës apo përdorimin e tyre nga ndonjë institucion arsimor vendor apo ndërkombëtar! Pranimi i publikimeve të tilla është një shkelje e rëndë e të gjitha normave dhe etikës akademike. Thjesht, PA KOMENT!”, ka shkruar ai në Facebook.
Përfundimisht, pas këtij refuzimi Murturi thotë se do të vazhdojë karrierën e tij në Universitetin Teknik të Vjenës.
“Unë do të vazhdoj punën në Universitetin Teknik të Vjenës dhe sigurisht se më të lumturit për këtë do të jenë kolegët e mi nga Vjena. Ndërsa ndaj këtij vendimi skandaloz do të ankohem dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore deri në fund. Arsyeja e ankesës time do të jetë vetëm dhe vetëm për ta bllokuar këtë proces dhe për ta ndalur edhe më tutje shkatërrimin e vazhdueshëm që po i bëhet Universitetit të Prishtinës. Le të mbetet në ndërgjegjen e anëtarëve të Senatit të Universitetit, Rektoratit, Ministrisë së Arsimit, Teknologjisë dhe Shkencës, si dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të adresuar këtë çështje me integritet dhe drejtësi”, është shprehur Murturi.
Po ashtu ka paralajmëruar ankesë dhe ndjekje të rrugëve ligjore sa i përket këtij rasti, përcjell albinfo.at.