Fehmi Berisha, ish i burgosur politik dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ka zbuluar emrat e disa prej shqiptarëve që kanë shërbyer në UDB, shërbimin sekret jugosllav, dhe që kanë qenë të përfshirë në torturimin e tij.
Këta individë kanë luajtur role të ndryshme gjatë arrestimit, hetimeve e torturave që Berisha ka përjetuar.
Ish i burgosuri politik Berisha ka përmendur emrat mëposhtëm si pjesë e UDB-së:
Lorenc Selmani-Një nga hetuesit e sigurimit që ka marrë pjesë në arrestimin e tij.
Shaban Zeqiraj-Një hetues që sipas Berishës nuk e ka torturuar gjatë hetimeve në Prishtinë.
Sabah Muhaxheri-Një tjetër hetues që, bashkë me Zeqirajn, nuk e ka torturuar.
Asllan Sllamniki-Hetuesi famëkeq që ka filluar torturat e dhunshme ndaj Berishës.
Bezhgjet Bezhgjeti-Ndihmës i Sllamnikut nga Shkupi, i njohur për brutalitetin e tij, por Berisha dyshon se ky ka qenë shqiptar, pasi sipas tij, nuk fliste mirë shqip.
Bafti Jakupi-Një tjetër ndihmës i Sllamnikut, profesor i fizkulturës nga Medvegja, që ka marrë pjesë në torturat.
Musa (Baleci ose Bajgora?)-Një person tjetër që Berisha përmend në listën e torturuesve, por për të cilin nuk është i sigurt për mbiemrin e saktë.
Gjatë intervistës, Berisha përshkroi në detaje torturat brutale që ka pësuar, ku serbët e mbanin të lidhur ndërsa shqiptarët e godisnin me shkop të drurit dhe mjete të tjera të rënda.
Torturat ishin të përnatshme dhe vazhdonin deri në ora 3 të mëngjesit, ndërsa hetimet bëheshin dy herë në ditë ka treguar Berisha në “Debat Plus”.
“Hetimet kanë qenë dy herë në ditë (…) kurse torturat natën, si u fikshin dritat të thirrshin Berisha eja, torturat vazhdonin deri në ora 3 të mëngjesit (…) Këta tre (Sllamniku, Jakupi e Bezhgjeti) më kanë maltretuar, ka pasur edhe serbë, po atyre nuk kam arritur me ua mësu emrat. Ata (serbët) më kanë mbajtë, këta (shqiptarët) më kanë maltretuar”, ka treguar Berisha.