Aktori amerikan Danny Glover ka vizituar këtë të martë Universitetin e Arteve në vendin tonë. Ylli i “Lethal Weapon” është fotografuar i qeshur, teksa mbante veshur bluzën e kombëtares shqiptare të futbollit, nën shoqërinë e rektorit të Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi dhe dekanit Petrit Malaj.
Mësohet se Glover është në vendin tonë për të marrë pjesë në ceremoninë e mbylljes së xhirimeve të serialit “The Prosecutor” me regji të Fatmir Dogës, ku merr pjesë edhe aktori amerikan.
Sipas vetë Dogës, bëhet fjalë për një serial aksion-triler dhe për realizimin e tij është filmuar në disa shtete europiane. Sipas një deklaratë të Dogës në llogarinë e tij në Instagram, seriali i ka kaluar filtrat e disa platformave, si Netflix, Amazon apo Hulu dhe ka potencial të shfaqet në të gjithë botën.
Glover është përgjithësisht i njohur për rolin e agjentit të policisë Roger Murtaugh në serinë e filmave “Arma vdekjeprurëse”, ku luan përkrah Mel Gibson. Gjithashtu ka luajtur role si protagonist në disa filma, si “The Color Purple”, “To Sleep With Anger”, “Predator 2”, “Angels in the Outfield” dhe “Operation Dumbo Drop”.