Qindra mijëra njerëz presin të takojnë për herë të fundit mbretëreshën Elizabeth II, teksa qëndrojnë prej orësh stoikë në radhë në pritje për t’iu afruar Westminster Hall.
Radha shtrihet përgjatë shtratit jugor të lumit Tamiz, mes Tower Bridge dhe London Bridge. Zyrtarë të qeverisë thonë se nuk mund të japin një shifër të saktë të atyre që duan të kalojnë pranë arkivolit të monarkes së ndjerë, por pritshmëritë janë për mbi 750 mijë njerëz.
Pasi i bashkohen radhës, qytetarëve në zi u jepet një shirit më ngjyrë e numër të caktuar, i cili i lejon ata të largohen përkohësisht për të përdorur tualetin, për t’u ushqyer apo për të pirë diçka. Sakrifica këto që sipas qytetarëve janë të papërfillshme për sundimtaren që vuri në shërbim të popullit, 70 vite të jetës së saj.
Qytetarët me veshje kryesisht të errëta që hynë në hallin antik të Westminster, i ndriçuar nga llampadarë, fshinin lotët ose përkuleshin në shenjë respekti teksa kalonin pranë arkivolit me trupin e Mbretëreshës së ndarë nga jeta më 8 shtator. Mes tyre ishte edhe ish-kryeministrja Theresa May dhe bashkëshorti i saj.
Arkëmorti, i cili u zhvendos pasditen e së hënës nga pallati Buckingham në ndërtesën me të vjetër të parlamentit, pas një procesioni 38 minutësh, ruhet në çdo orë nga njësitë e truprojave të monarkisë.
Momente paniku u shënuan gjatë mbrëmjes, kur një prej rojeve humbi ndjenjat në podium, pranë arkivolit të vendosur mbi një platformë të ngritur e ishte mbuluar me simbolet e monarkisë.
Publiku do të ketë kohë deri të dielën për t’i thënë lamtumirën sundimtares, ndërsa të hënën mbahet funerali shtetëror. 500 krerë shtetesh e delegatë të huaj pritet të marrin pjesë, bashkë me pjesëtarët e familjeve mbretërore rreth Europës, me shumicën e të cilëve Elizabeth ka lidhje gjaku.