Për të dërguar apo marrë porosi. Të gjithëve na ka ndodhur të kemi të paktën një kontakt me postat. Përdorimi i postave vitet e fundit është rritur ndjeshëm, kryesisht në vitin 2024 rreth 20 milionë porosi u dorëzuan nga subjektet shtetërore dhe private.
Prej kohësh, bashkëpunimi me bizneset online, e ka zgjeruar funksionin e postave përtej shkëmbimit të letrave. 19.4 milionë dërgesa u kryen në 9 muaj në 2024-ën nga individët apo dhe bizneset. Një rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se në dërgesat e kryera mbizotërojnë ato nga Posta Shqiptare. Në 5.3 milionë në tremujorin e tretë të vitit arritën dërgesat nga Posta Shqiptare, ndërsa pjesa tjetër u ofrua nga 24 subjektet private të shërbimeve me 1.3 milionë.
Por për çfarë po e përdorin më shumë shqiptarët postën? “Zakonisht tek elektroshtëpiaket e vogla, apo gjërat e dekorit për shtëpinë, që ne i shesim në masë”, thotë për A2 CNN Xhilda Lika, përfaqësuese e një biznesi online. “Normalisht veshjet për vajzat, produktet sezonale…”.
“Individët kryesisht blejnë online veshje, aksesorë të ndryshëm, ndërkohë që bizneset përdorin shërbimet postare për transportimin e këtyre produkteve tek individët”, thotë për A2 CNN Denisa Dragoni, sipërmarrës në shërbimet postare.
Vetëm në Tremujorin e tretë të vitit rezultojnë mbi 6,6 milionë objekte postare të dërguara dhe pranuara nga Posta Shqiptare dhe Ofruesit e Shërbimeve Postare. Nga cilat shtete po marrin më shumë porosi shqiptarët? “Kryesisht nga Kina dhe vendet e Bashkimit Europian, Itali dhe Gjermani kryesisht”, thotë Dragoni.
Duke qenë se në tregun postar po operojnë më shumë subjekte private çfarë sfidash po has sektori? “Individë dhe biznese të cilët operojnë në mënyrë informale duke mos deklaruar shitjet e tyre”, thotë Dragoni.
Ndalur sipas llojit të shërbimit postar, përqindjen më të lartë prej 76% e zë shërbimi universal i ofruar nga Posta Shqiptare ndërsa shërbimi ekspres I ofruar nga privatët është rritur me 19%.