Një letër e hapur është nënshkruar nga më shumë se 100 ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, duke shprehur “shqetësim të thellë” për atë që ata e shohin si shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare nga SHBA-të, Izraeli dhe Irani me luftën në Lindjen e Mesme.
Akademikët dhe ish-zyrtarët qeveritarë thonë se, për shkak të lidhjes së tyre me Shtetet e Bashkuara, fokusi i tyre është te sjellja e SHBA-së.
Ekspertët e ligjit thonë se si sjellja ashtu edhe retorika e SHBA-së në luftë është thellësisht shqetësuese dhe në disa raste përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ata thonë se sulmi ndaj Iranit ishte një shkelje e qartë e Kartës së Kombeve të Bashkuara, e cila ndalon përdorimin e forcës jashtë vetëmbrojtjes ose kur autorizohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Ekspertët përfshijnë ish-zyrtarë të qeverisë amerikane dhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare. Ata vënë në dukje “retorikën alarmuese” që po përdoret nga zyrtarët amerikanë, përfshirë kërcënimet e Presidentit Trump për të “zhdukur” termocentralet e Iranit.
Ata gjithashtu nxjerrin në pah sulmin ndaj një shkolle në Minab në ditën e parë të luftës, për të cilin provat sugjerojnë se ishte rezultat i një sulmi amerikan , duke thënë se mund të përbëjë një krim lufte nëse gjenden prova se ata që janë përgjegjës ishin të pamatur. Pentagoni ka thënë se po heton sulmin.
Në përgjigje të letrës së hapur, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i tha BBC-së se Trump po e “bënte të gjithë rajonin më të sigurt dhe më të qëndrueshëm”.
Zëdhënësi shtoi: “Presidenti nuk i merr këto vendime tepër të rëndësishme për sigurinë kombëtare bazuar në mendimet e këtyre të ashtuquajturve ‘ekspertë’, por në interesin më të mirë të popullit amerikan.”


