Më shumë se 10,000 qytetarë gjermanë, përfshirë banorë të përhershëm dhe turistë, janë regjistruar në “listat e gatishmërisë” për vendet e Gjirit Persik. Megjithatë, qeveria gjermane nuk është në gjendje t’i evakuojë ata për momentin, pasi hapësira ajrore e rajonit është “totalisht e mbyllur”, njoftoi ministri i Jashtëm Johan Vandeufel.
Sipas ministrit, ripatriimi i gjermanëve nga Gjiri Persik është aktualisht i pamundur. “Hapësira ajrore është e mbyllur për të gjitha avionët civilë; vetëm avionët ushtarakë mund të fluturojnë. Prandaj, nuk mund ta realizojmë këtë,” tha ai në një intervistë për televizionin BILD. Ai e përshkroi situatën si “të vështirë”, duke shtuar se po përpiqen të ofrojnë informacion të qartë për qytetarët mbi mënyrën dhe kohën e mundshme të largimit.
Ministri theksoi gjithashtu se nuk mund të parashikohet ende kur evakuimi do të bëhet i mundur, por shtoi se autoritetet janë në pritje të zhvillimeve. Qeveria gjermane kishte paralajmëruar për situatën dhe rreziqet e udhëtimeve drejt Gjirit Persik që disa javë më parë.
Ministria e Jashtme u bën thirrje të gjithë gjermanëve në Lindjen e Mesme të regjistrohen në listat e gatishmërisë dhe të mbajnë kontakt me agjencitë e udhëtimit dhe linjat ajrore për të marrë informacion mbi mundësitë e largimit nga rajoni.


